Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Nis procesi i dosjes “Partizani” me tetë të pandehur, mes tyre ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.
Gjykimi gjendet në fazën ku duhet dëgjuar qëndrimi i SPAK-ut lidhur me kërkesat e avokatëve të çështjes për prova.
SPAK u shpreh: “Për sa i përket kërkesës për prova nga ana e Fatmir Bektashit për thirrjen e dëshmitarit B., jemi dakord. Për kryerjen e një akti ekspertimi kontabël për ndërtimet, sjellim në vëmendje se SPAK e ka kryer një akt-ekspertimi të tillë. Mbrojtja mund të rezervojë të drejtën më pas për riekspertim.
Për pyetjet e të gjithë ekspertëve duhet të specifikohen këta ekspertë. Për kërkesën e papajtueshmërisë të gjyqtarit paraprak, kërkojmë mos të pranohet si kërkesë. Për kërkesën për papërdorshmëri të provave në katër kompjutera, ne kërkojmë të mos pranohet.”
Në lidhje me sendet e tjera: “Për telefonat janë paraqitur ankesa në Kushtetuese dhe Kushtetuesja ka vendosur në 2024 mos kalimin në seancë gjyqësore. Përsa i përket kërkesës për thirrjen e Edi Ramës nga ana jonë, s’ka kundërshtime e lëmë në gjykim të gjykatës.”
Prokurorja e dosjes, Enkelejda Millonai, shtoi:
“Megjithatë nuk e dimë çfarë do provohet me thirrjen e këtyre dëshmitarëve, si pyetja e dëshmitarit Besmir Karanxha që ishte hetues, për të cilin është sjellë një foto me Ulsi Manjën. Çfarë kërkojnë të provojnë me pyetjen e këtij dëshmitari?”
