Një person ka humbur jetën dhe dhjetëra banesa janë përmbytur si pasojë e motit të keq që ka përfshirë Greqia.
Stuhia e fuqishme “Erminio”, e shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, ka shkaktuar dëme të shumta, veçanërisht në rajonin verilindor të Atikës, pranë kryeqytetit Athinë.
Autoritetet konfirmuan se viktima është një 55-vjeçar, i cili u gjet i pajetë në zonën e Nea Makri. Sipas policisë, ai u mor nga rrjedha e ujit dhe mbeti i bllokuar nën një automjet pasi banesa e tij në bodrum u përmbyt.
Shërbimet zjarrfikëse raportuan qindra telefonata për ndihmë, duke ndërhyrë për të larguar ujin nga banesat, për të shpëtuar persona të bllokuar dhe për të pastruar rrugët nga pemët e rrëzuara.
Ndërkohë, dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Rafina, ku ekipet e emergjencës vijojnë punën për pastrimin e mbetjeve dhe riparimin e infrastrukturës së dëmtuar. Në zonën e Kalitechnoupoli, një rrugë është shembur si pasojë e rrjedhave të forta të ujit.
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike, autoritetet kanë pezulluar gjithashtu disa linja tragetesh nga porti i Pireu drejt ishujve grekë.
Situata mbetet problematike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet në terren për përballimin e pasojave të stuhisë./mxh
