Avokatët e Ilir Metës, kreut të Partisë së Lirisë, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima, kanë zhvilluar konferencën e radhës për mediat lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit.
Cakrani është shprehur gjatë fjalës së tij, se Meta nuk ka asnjë lidhje me kontratën CEZ-DIA. Më tej, avokati tha se edhe procesi gjyqësor ndaj shtetasit Kastriot Ismailaj ishte me urdhër politik, pasi, sipas tij, duhej fituar çështja në arbitrazh.
“Zoti Prifi ka mashtruar Prokurorinë e Tiranës dhe këto SPAK-u i ka materializuar në akuza për Metën. CEZ-DIA ka nisur hetimi në 2014 dhe ka hetim të gjithanshëm nga Prokuroria e Tiranës dhe ka një dënim penal. Të gjithë personat e pyetur nga prokurorët e Prokurorisë së Tiranës janë thirrur dhe kanë dëshmuar para Gjykatës dhe para Prokurorisë së Posaçme. Prokuroria e Posaçme ka regjistruar të njëjtin procedim penal për të njëjtat fakte dhe personazhe. Dhe kjo është totalisht e ndaluar. Nuk ka asnjë dyshim që çështja e zotit Meta jo që nuk përmendet nga personazhet e thirrur nga Prokuroria e Tiranës, por as nga gjykata që ka dënuar Kastriot Ismailajn. Nuk ka pasur asnjë lidhje Meta më kontratën CEZ-DIA. Zoti Ismailaj është hetuar dhe dënuar me urdhër politik sepse duhej fituar çështja në arbitrazh”, shprehet Cakrani. /kb
