Last Updated on 03/04/2026 by Anisa
Ka zgjatur 1 orë e 50 minuta takimi i Kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët, në kuadër të turit të nisur “Punët e Shqipërisë”.
Tematikat kryesore të diskutuara nga Kryeministri ishin: Paketa e maleve, parkimet në qytete, çështja sociale.
Në mënyrë të posaçme, burime nga kjo mbledhje thonë se Rama ka kërkuar prej kryebashkiakëve të çojnë përpara procesin e legalizimeve në bashkëpunim me kadastrat e çdo qyteti. Po ashtu Kryeministri i ka bërë një bilanc aplikimeve të deritanishme për prioritetin e qeverisë për “Paketën e maleve”. Mësohet se ka treguar se cilat janë dy bashkitë të cilat janë afër arritjes së objektivit të lidhjes së 10 kontratave.
Takimi i Ramës është zhvilluar me dyer të mbyllura teksa kryebashkiakët demokratë nuk janë lejuar të futen në ambientet ku po mbahet mbledhja. Kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj ka bërë me dije se nuk i është lejuar të marrë pjesë pasi garda nuk e ka lejuar të hyjë në sallë.
Sipas tyre emri i tij nuk figuron në listën e pjesëmarrësve. Dodaj në një komunikim me gazetaren Shehu ka deklaruar se organizatorët i kanë thënë së është bërë një gabim në dërgimin e ftesës.
Disa kryetarë të Partisë Demokratike kanë deklaruar se kanë marrë ftesë për të marrë pjesë në të njëjtin takim, ndërsa Partia Socialiste thekson se janë ftuar vetëm kryetarët socialistë të bashkive.
Kryetarët Miftar Dauti i Hasit dhe Albert Mylyshi i Mirditës kanë deklaruar se nuk kanë marrë ftesë për këtë takim me Ramën në Pallatin e Kongreseve.
