Last Updated on 03/04/2026 by EL
Gjykata Kushtetuese ka mbyllur përfundimisht betejën e gjatë ligjore të shtetasit Arben Frroku, duke vendosur rrëzimin e ankimit të tij individual dhe lënien në fuqi të dënimit me burgim të përjetshëm. Vendimi vjen pas një procesi të rihapur me kërkesë të vetë Frrokut, bazuar në një vendimmarrje të mëparshme të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).
Rihapja e procesit pas vendimit të Strasburgut
Baza e këtij shqyrtimi të ri ishte një vendim i GJEDNJ-së, i cili konstatoi se në vitin 2018, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk i kishte siguruar kërkuesit një vendim të arsyetuar. Në atë periudhë, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm të votave mes gjyqtarëve, kërkesa e Frrokut ishte rrëzuar pa u shqyrtuar plotësisht në themel.
Në zbatim të detyrimeve ndërkombëtare, Gjykata Kushtetuese e pranoi kërkesën formale për rihapjen e procesit dhe shfuqizoi vendimin e saj të vitit 2018, duke i hapur rrugë shqyrtimit të pretendimeve të kërkuesit.
Pretendimet për paanshmëri dhe prezumimin e pafajësisë
Në ankimin e tij, Arben Frroku, i dënuar nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda për vrasje në rrethana cilësuese dhe armëmbajtje pa leje, pretendoi se trupa e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë kishte qenë e anshme. Sipas tij, gjyqtarët që kishin lënë në fuqi dënimin e tij kishin shqyrtuar më parë masat e sigurisë gjatë fazës së hetimit, çka, sipas mbrojtjes, përbënte paragjykim.
Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë këtë pretendim. Trupa gjykuese arsyetoi se shqyrtimi i një mase sigurie dhe gjykimi i themelit të çështjes janë faza dhe procedura me natyrë të ndryshme juridike. Sipas gjykatës, pjesëmarrja e të njëjtëve gjyqtarë në vlerësimin e masave të sigurisë nuk vërteton mungesën e paanshmërisë në marrjen e vendimit përfundimtar fajësi.
Vlerësimi mbi standardin e arsyetimit të gjykatave
Një tjetër pikë e ankimuar ishte mungesa e arsyetimit nga ana e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë. Kushtetuesja vlerësoi se Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e kishte bërë një analizë të thelluar, duke u mbështetur në provat shkencore, dëshmitë dhe rindërtimin e ngjarjes, pa marrë të mirëqena vetëm pretendimet e Prokurorisë. Ndërsa për Gjykatën e Lartë, e cila e kishte rrëzuar rekursin në dhomë këshillimi me një arsyetim të shkurtër, Kushtetuesja u shpreh se ky standard përmbush kriteret procedurale, për sa kohë shkaqet e ngritura nuk bënin pjesë në ato që parashikon ligji për rekurs.
Mendimi i pakicës
Vendimi nuk ka qenë unanim. Dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, gjyqtarët Ilir Toska dhe Sonila Bejtja, dolën me një mendim pakice. Ata argumentuan se rasti i Frrokut ishte kompleks, pasi kishte dy vendime tërësisht të kundërta: një pafajësi në Shkallën e Parë dhe një burgim të përjetshëm në Apel. Sipas pakicës, Gjykata e Lartë duhej të kishte bërë një analizë shumë më të thelluar për të garantuar të drejtën e aksesit efektiv në drejtësi dhe nuk mund të mjaftohej me një rrëzim formal të rekursit.
Pavarësisht këtij qëndrimi kundër, me votat e shumicës së trupës gjykuese, ankesa u rrëzua. Ky vendim përfundimtar vulos dënimin e Arben Frrokut dhe nuk lë më hapësira për ankime të tjera në sistemin e drejtësisë shqiptare për këtë proces./et
