Aksesorët janë një art, por ndonjëherë mund të kthehen në një dhimbje koke. Një zgjedhje e gabuar mund të prishë gjithë look-un, qoftë një palë këpucë që nuk përputhen apo një byzylyk që duket jashtë vendit. Fatmirësisht për Selena Gomez, veshja e saj e fundit vinte me “bizhuterinë” e përfshirë.
Duke festuar lançimin e fondatinës “True To Myself” nga Rare Beauty në Los Angeles mbrëmjen e kaluar, Gomez u shfaq me një version elegant të fustanit T-shirt. Nga koleksioni pranverë 2026 i Prada, dizajni i referohej një bluze të thjeshtë, por me një qasje të rafinuar. Ai kishte një bazë sateni në rozë, me xhepa dhe qepje të dukshme, i kombinuar me një shtresë të bardhë poshtë, e cila dukej në jakë dhe në fund të fustanit.
Detaji më i veçantë? Një jakë e teksturuar dhe e qëndisur në pjesën e qafës, që krijonte efektin e një varëseje diamanti të integruar, duke eliminuar nevojën për bizhuteri shtesë.
Megjithatë, Gomez shtoi disa aksesorë që nuk ishin pjesë e look-ut origjinal të pasarelës së Prada: ajo zgjodhi vathë rrethorë në argjend dhe këpucë të bardha slingback, që harmonizoheshin me ngjyrat e fustanit.
Për koleksionin pranverë 2026, Miuccia Prada dhe Raf Simons krijuan një “përgjigje ndaj mbingarkesës së kulturës bashkëkohor, një proces filtrimi dhe thjeshtimi përmes veshjes”, të quajtur Body of Composition. Ky koncept u reflektua në kombinime minimaliste dhe veshje me funksion të dyfishtë, si edhe në fustanet me jakë të dekoruar si ai i Gomez.
Mbrëmë, Selena Gomez tregoi se look-et më të mira janë ato që i marrin vendimet për ty.
