Last Updated on 07/04/2026 by Anisa
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, duket se është më pranë se kurrë largimit nga pankina kuqezi pas mbylljes së ëndrrës për kualifikimin në Botërorin e ardhshëm.
Me përfundimin e aventurës në fazën “play-off”, ku humbja ndaj Polonisë vulosi fatin e Shqipërisë, kontrata e teknikut brazilian po shkon drejt skadimit në fund të muajit korrik pa një akord të ri në horizont.
Burime pranë “Panorama Sport” bëjnë me dije se ish-mbrojtësi i Barcelonës po shqyrton seriozisht rikthimin në atdhe, ku emri i tij është bërë prioriteti kryesor për drejtimin e skuadrës së njohur braziliane, Corinthians.
Klubi nga São Paulo sapo ka shkarkuar trajnerin Dorival Júnior pas një serie rezultatesh zhgënjyese dhe po kërkon me urgjencë një profil që e njeh mirë ambientin, kusht ky që Sylvinho e plotëson më së miri duke qenë se e ka drejtuar këtë ekip në vitet 2021-2022.
Megjithëse aventura e tij me Shqipërinë do të mbahet mend gjatë për kualifikimin historik në Europianin e Gjermanisë dhe arritjen për herë të parë në “play-off” të një Botërori, rënia në Ligën C të Kombeve dhe kritikat e fundit mbi skemat taktike duket se kanë zbehur besimin e ndërsjellë. Tashmë gjithçka mbetet në dorë të bisedimeve të fundit, por sinjalet tregojnë se cikli i brazilianit në Tiranë është drejt fundit, ndërsa Corinthians po nxiton ta zyrtarizojë përpara sfidave vendimtare në Libertadores.
