Nuk është vetëm Shqipëria ajo që ka nisur kërkimin për një trajner të ri të ekipit kombëtar, pas largimit thuajse të sigurt të Silvinjos. Janë shumë përfaqësuese nëpër glob që janë në kërkim të një trajneri dhe një prej tyre, me ndihmën e FIFA-s, po e bën nëpërmjet njoftimeve në Facebook.
Shteti i vogël i Montserrat në Karaibe, është aktualisht pa trajner dhe kërkon një të tillë me një lajmërim online në rrjetet sociale. Ishulli me rreth 5 mijë banorë, pavarësisht faktit që ka një ekip modest, ka nxjerrë një lajmërim të hapur deri më datën 17 prill për aplikantët. Ata duhet të kenë licencën më të lartë nga UEFA, CONMEBOL ose CONCACAF nëse aplikojnë për këtë pozicion, si dhe të kenë të paktën 3-5 vjet eksperiencë si trajner.
Personi do të jetë njëkohësisht trajner i ekipit kombëtar, por edhe organizator i përgjithshëm teknik i federatës, për të ndihmuar futbollin dhe trajnerët lokal. Njoftimi është bërë nga Federata vendase por e cila është nën administrim nga FIFA e cila ka marrë përsipër drejtimin e saj pas disa problemeve institucionale./mxh
