Pas armëpushimit të arritur në konfliktin me Iranin, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron që Shtetet e Bashkuara të nisin negociata të drejtpërdrejta me Teheranin në një të ardhme të afërt.
“Do të ndodhë shumë shpejt,” është shprehur Trump, i cituar nga “New York Post” gjatë një interviste telefonike të zhvilluar sot.
Sipas tij, pala amerikane në këto bisedime mund të përfaqësohet nga dhëndri i tij, Jared Kushner, i dërguari special Steve Witkoff, si dhe, ndoshta, edhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Ndërkohë, më herët, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif kishte ftuar delegacione nga SHBA-ja dhe Irani në Islamabad për zhvillimin e bisedimeve të mëtejshme, ku pritet të diskutohet një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e konfliktit.
Burime nga Pakistani bëjnë të ditur se në këto negociata mund të përfshihen edhe përfaqësues nga Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti, vende që më herët kanë zhvilluar konsultime me Pakistanin për mënyrat e uljes së tensioneve./mxh
