Pavarësisht se çfarë mendimi ka gjithsecili në lidhje me alkoolin, duhet të biem dakord se kjo substancë jep një mori efektesh të gjithanshme në organizëm.
Që nga kohët e lashta, njerëzit janë mbështetur tek ai për të festuar dhe për të shprehur ngushëllime, për t’u përballur me ankthin dhe për t’u bërë më kreativë. Duhet përmendur gjithashtu se alkooli ndërton vetëbesimin tek shumë njerëz, duke reduktuar mërzinë dhe duke rritur humorin.
Ndërsa shumica e substancave që ndryshojnë mënyrën e të menduarit kanë një ose dy raste përdorimi specifike, alkooli përbën shumë. Kjo është ndoshta arsyeja pse ka qenë kaq i kudondodhur në të gjithë historinë e njerëzimit dhe pse mund të jetë kaq e vështirë të heqësh dorë plotësisht prej tij.
“Alkooli arrin në tru brenda pak minutash dhe gjëja e parë që bën është të fillojë të ndryshojë ekuilibrin midis dy lajmëtarëve kimikë frenues dhe ngacmues.
Ai rrit GABA-n (i cili ngadalëson ose bllokon sinjale të caktuara për të ndihmuar trurin të relaksohet) dhe zbut glutamatin (i cili aktivizon qelizat e trurit në mënyrë që ato të mund të dërgojnë informacion), dhe kështu ajo ndjesi e hershme e ‘gumëzhitjes’ është një kombinim i korteksit frontal, pjesës së trurit tuaj përgjegjëse për gjykimin, përmbajtjen dhe vetëmonitorimin, që fillon të fiket.
Kjo është e kombinuar me çlirimin e dopaminës dhe endorfinave në qarqet e shpërblimit, që ju japin motivim, relaksim dhe energji. Kështu që njerëzit ndihen më të relaksuar, më të hapur, më pak të frenuar në aspektin shoqëror”, pohoi Dr. Rayyan Zafar, një neuropsikofarmakolog nga Imperial College London.
Ndërsa përqendrimi i alkoolit në qarkullimin e gjakut rritet, ai fillon të ndikojë në rajone më të thella dhe më primitive të trurit, duke përfshirë trurin e vogël, i cili koordinon lëvizjen, dhe trungun e trurit, i cili rregullon funksionet themelore si rrahjet e zemrës dhe frymëmarrja.
“Ai mbyll progresivisht sistemet e kontrollit të nivelit të lartë së pari, dhe pastaj qarqet që na mbajnë të koordinuar fizikisht”, thotë Zafar.
Kjo do të thotë që të folurit tuaj është i ngatërruar, ekuilibri juaj lëkundet dhe koha juaj e reagimit ngadalësohet. Nëse i injoroni të gjitha shenjat paralajmëruese derisa nivelet e alkoolit në gjak të bëhen kritike, kjo mund ta ngadalësojë funksionimin e trurit aq shumë sa të harrojë t’u tregojë mushkërive tuaja të marrin frymë ose zemrës suaj të rrahë.
Bilanci GABA-glutamat është gjithashtu përgjegjës për ndjenjën e ankthit ose depresionit që shumë persona përjetojnë një ditë pas një teprice alkooli, pasi trupi korrigjon në mënyrë të tepruar kimikatet që po i jepni.
“Ndërsa alkooli është në sistemin tuaj, truri kompenson efektet e tij qetësuese duke rritur sistemet e tij ngacmuese, veçanërisht glutamatin dhe rrugët e stresit”, thotë Zafar.
Hormonet e stresit, si kortizoli, mund të mbeten të larta, sistemi i gjumit është i ndërprerë dhe sistemet e neurotransmetuesve janë përkohësisht jashtë ekuilibrit.
Të kuptuarit e ‘pse’-së kemi nevojë për alkool i ndihmon njerëzit të bëhen më të qëllimshëm. Në vend që të pyesin, ‘A duhet të pi?’, një pyetje më e mirë mund të jetë, ‘Për çfarë po e përdor këtë pije?’
Nëse përgjigjja është lehtësimi i stresit, lehtësimi social apo shkëputja nga jeta, mund të kuptojmë se nuk kemi nevojë për aq shumë prej tij për të arritur efektin e dëshiruar.
Gjithashtu mund të kuptojmë se diçka tjetër do ta bënte të njëjtën punë më mirë, qoftë një pije freskuese, pak frymëmarrje e thellë, një zhytje në ujë të ftohtë apo një dush i nxehtë. Mund të gjejmë alternativa për pijen që konsumojmë në darkë, ose kur jemi jashtë me miqtë, ose pas një dite të vështirë. Alkooli mund të jetë mjeti më i gjithanshëm për ndryshimin e humorit, por kjo është gjëja e mrekullueshme e jetës moderne: ka shumë alternativa më miqësore me ne!/mxh
