Bandat kriminale, efekte vizuale mahnitëse, roli i parë në aktrim i reperit Loyle Carner… drama e BBC-së Mint merr fabulën e Romeo dhe Zhuljeta dhe krijon diçka unike
Zoe Williams
Mint, drama e re nga Charlotte Regan, është kaq e thjeshtë në koncept sa është pothuajse e vështirë të kuptohet. Është historia e një dashurie të pamundur mes dy njerëzve, familjet e të cilëve janë rivale të ashpra kriminale, ndaj romanca e tyre nuk mund të ekzistojë. Është hapur, pa asnjë kompleks, Romeo dhe Zhuljeta, historia më e vjetër e dashurisë në botë. Si arrin të ndihet kaq origjinale, kaq magnetike, mbetet mister. Dialogu është minimal, pamja e veprës është e pastër, pa zbukurime – nuk ka asgjë të ëmbël në të.
Kjo i kujtoi Emma Laird, që luan Shannon – gjysmën femërore të çiftit – serinë Twilight. Seriali fantastik, thotë ajo, ishte “historia e parë romantike me të cilën u lidha. Më duket sikur Mint mund të jetë për dikë ajo që ishte Twilight për mua kur po rritesha – romantike, e bukur, naive dhe kinematografike, një botë e tërë e ndërtuar mbi këto elemente. Është shumë më tepër se historia e Shannon-it, është shumë më e madhe se personazhet.” Mua më kujtoi pak Heathers, jo sepse i ngjan filmit – është qesharake, por në një mënyrë tjetër, dhe nuk përfundon njësoj – por sepse të kthen te ndjesia e parë romantike që ke përjetuar ndonjëherë.
Regjisorja Charlotte Regan, e njohur si Charlie, fitoi çmimin e jurisë në Sundance tre vite më parë për filmin e saj debutues Scrapper, për një vajzë 12-vjeçare që ribashkohet me të atin pas vdekjes së nënës. “Ai film ishte për klasën shoqërore, për rritjen në një ambient punëtor. Mint është më pak për këtë,” thotë ajo. “Por gjithmonë tërhiqem nga personazhet e klasës punëtore dhe më pëlqen t’i vendos në botë ku nuk i kemi parë më parë.”
Shannon është vajza e një familjeje kriminale skoceze: e ndritshme dhe e brishtë, me një vullnet të fortë, në dukje e lirshme, por me një mall të paqartë brenda vetes. “Hiqe krimin nga mes,” thotë Regan, “dhe ajo mund të ishte vajza e një futbollisti të famshëm – e mbrojtur nga bota.” Benjamin Coyle-Larner, i njohur si Loyle Carner, debuton në aktrim si Arran, djali i humbur i një familjeje tjetër kriminale, që kthehet nga Londra ku u rrit në një lloj mërgimi gangsterësh. Sytë e tyre takohen në një stacion treni të varfër: Shannon me gëzof artificial dhe mëndafsh, Arran me veshje rruge – të papajtueshëm dhe njëkohësisht të papërballueshëm për njëri-tjetrin.
“Arran dhe Shannon nuk e njohin njëri-tjetrin,” thotë Coyle-Larner. “Vajza si ajo nuk ekzistojnë aty ku jam rritur unë. Djem si Arran nuk ekzistojnë aty ku është rritur ajo. Është si të shohësh një kafshë nga një pjesë tjetër e botës. Nuk është dashuri me shikim të parë, por interes me shikim të parë: ‘Çfarë është kjo? Duhet ta zbuloj.’”
Para Scrapper, Regan kishte drejtuar videoklipe që në moshën 15-vjeçare – fillimisht pa buxhet. Më vonë punoi me emra si Mumford & Sons dhe Stereophonics, duke krijuar klipe vizualisht të fuqishme. “Më pëlqen mënyra si tregojnë histori vizuale para filmit apo televizionit. Dua që publiku të ndjejë atë që ndjen personazhi – dhe kjo vjen shumë nga gjuha vizuale. Nëse Shannon rrëmbehet nga ndjenja, dua ta shohësh këtë, jo thjesht ta dëgjosh në dialog.”
Drama është një përzierje efektesh vizuale dhe rikthimesh në kohë të xhiruara si fragmente Super 8. Sa herë që Shannon sheh Arran-in, rreth tij shpërthejnë shkëndija – diçka që tingëllon klishe, por në fakt është prekëse. “Përdorimi i kamerave të vjetra VHS krijon ndjesinë sikur po sheh kujtimet e tua,” thotë Regan. “Dhe është edhe ekonomik – duket mirë gjithmonë.”
Emma Laird, 27 vjeç, e nisi si modele për shtatë vite, por sot ka një karrierë të konsoliduar në aktrim. Ajo ka luajtur në 28 Years Later, The Brutalist dhe në serialin Mayor of Kingstown. Me humor, e përmbledh karrierën e saj: “Jam fshehur pas burrave – e dashura e dikujt, partnerja e dikujt, interesi romantik. Mësova shumë, por gjithmonë pyesja: po personazhi im ku është?”
Ndërkohë, Coyle-Larner ka pasur një karrierë të suksesshme në muzikë, me nominime për çmime Brit dhe Mercury. Ai gjithmonë ka dashur të aktrojë, por rolet që i ofroheshin ishin stereotipe. “Kur lexova skenarin e Charlie-t, ishte emocionuese – dikush që dukej si unë mund të portretizohej me kompleksitet, i ndjeshëm dhe i brishtë, jo vetëm si ‘djalë i fortë’.”
Shumë nga drama zhvillohet në fytyrat e aktorëve. Kamera ndalet gjatë mbi Shannon-in, duke të dhënë ndjesinë sikur lexon mendimet e saj. “Në TV amerikan të vendosin filtra dhe je perfekt. Këtu shihen puçrrat, rrudhat, poret. Kam akne – dhe jam shumë e lumtur që i lanë. Është pjesë e rëndësishme e serialit: shohim një vajzë të vërtetë.”
Dialogu është i reduktuar në minimum. “Charlie thoshte: nëse mund ta thuash me sy, është më mirë,” kujton Coyle-Larner. “Kështu që sytë kishin shumë përgjegjësi.”
Në kast përfshihen edhe Laura Fraser si nëna e Shannon-it dhe Lindsay Duncan si gjyshja e saj, duke krijuar një vijë të përbashkët karakteresh femërore – të brishta në dukje, por të forta brenda.
Mint është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë artistik. Regan thotë se i gjithë ekipi ndau përvojat e veta mbi dashurinë, duke e bërë historinë më komplekse se thjesht “takova dikë dhe e dua”.
“Arsyeja pse e dua këtë punë,” thotë Laird, “është se mund të ndjej çdo emocion pa turp. Ndoshta duhet të shkoj te një terapist.”
