Last Updated on 10/04/2026 by EL
Një sherr i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Trentos në Itali, ku një person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:15, kur katër persona janë përfshirë në një konflikt fizik. Sipas mediave italiane, dy prej tyre ndodheshin në një bar duke pirë kafe, ndërsa dy të tjerë iu janë afruar në këmbë nga zona e Piazza Fiera.
Në këtë moment ka shpërthyer përplasja, gjatë së cilës janë dëgjuar edhe disa të shtëna me armë, që dyshohet të kenë qenë nga një pistoletë manovër. Burimet bëjnë me dije se njëri nga personat është plagosur në shpatull, ndërsa arma dyshohet të jetë përdorur edhe për goditje fizike.
Një nga pistat kryesore ku po heton policia lidhet me një konflikt të mundshëm për trafikun e lëndëve narkotike.
Alarmin e ka dhënë pronarja e një tabakerie pranë vendngjarjes, e cila së bashku me persona të tjerë, është strehuar në pjesën e pasme të ambientit nga paniku.
Autoritetet kanë bërë të mundur arrestimin e të katër personave të përfshirë. Fillimisht u dyshua për një tentativë grabitjeje, por hetimet e fundit tregojnë se bëhet fjalë për një konflikt mes dy shtetasve shqiptarë dhe dy personave me origjinë nga Afrika e Veriut./et
