Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin për sulme të reja dhe më intensive në rast se nuk arrihet një marrëveshje.
Në prag të negociatave në Pakistan, Trump theksoi se SHBA-të janë të gatshme të përshkallëzojnë veprimet ushtarake ndaj Teheranit. Në një intervistë për New York Post, ai u shpreh se vendi i tij po përgatit armatime të fuqishme.
“Po i ngarkojmë anijet me municionet dhe armët më të mira të prodhuara ndonjëherë, madje edhe më të mira se ato që përdorëm më parë, të cilat i përdorëm për t’i bërë ata copë-copë”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, përmes platformës Truth Social, presidenti amerikan theksoi se Irani ka pak hapësirë manovrimi në tryezën e negociatave.
Sipas tij, e vetmja “kartë” që Teherani zotëron është Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe strategjike për tregtinë globale të hidrokarbureve, e cila sipas raportimeve është bllokuar për javë të tëra.
“Iranianët nuk duket se e kuptojnë se nuk kanë karta për të luajtur përveç zhvatjes afatshkurtër nga pjesa tjetër e botës duke përdorur korridoret ndërkombëtare detare. Arsyeja e vetme pse ata janë ende gjallë sot është të negociojnë”, shkroi Trump, përpara nisjes së bisedimeve të paqes në Pakistan./mxh
