Një analist politik me bazë në Bruksel ka deklaruar se humbja e kryeministrit hungarez Viktor Orban në zgjedhjet e së dielës përbën një “lehtësim” për liderët evropianë dhe një sinjal se demokracitë me prirje iliberale përballen me vështirësi në ruajtjen e pushtetit.
Zëvendësdrejtori ekzekutiv i Qendrës për Politikë Evropiane, Janis Emmanouilidis, tha se rezultati i zgjedhjeve dërgon një mesazh të fortë politik, sidomos duke pasur parasysh mbështetjen e hapur që Orban ka marrë nga Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen më të tërthortë që sipas tij ka ardhur edhe nga aktorë të tjerë, përfshirë Rusinë.
Sipas tij, humbja e thellë e Orbanit, pavarësisht këtyre mbështetjeve ndërkombëtare, tregon se ekzistojnë kufizime në ndikimin e jashtëm mbi proceset zgjedhore në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Emmanouilidis shtoi se ndryshimi i qeverisë në Budapest mund të lehtësojë procesin e vendimmarrjes në BE, veçanërisht në çështje të ndjeshme si sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetja për Ukrainën. Ai përmendi gjithashtu pritshmëritë për zhbllokimin e një pakete kredie prej 90 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila më herët ishte penguar nga qeveria e Orbanit.
Ai theksoi se në të ardhmen pritet që Hungaria të lëvizë drejt reformave dhe rikthimit të një sistemi më pluralist dhe liberal, ndërsa mazhoranca e re në parlament do t’i mundësojë qeverisë të re të veprojë më shpejt.
Në fund, analisti vuri në dukje se vetoja e Orbanit shpesh është përdorur si argument nga disa vende anëtare për të bllokuar vendime të tjera në BE, ndërsa largimi i tij nga pushteti mund të ndryshojë këtë dinamikë dhe të nxisë reforma më të thella brenda vetë Bashkimit Evropian./mxh
