Banorë të Kievit kanë reaguar me optimizëm të kujdesshëm pas fitores së opozitës hungareze në zgjedhje, duke shprehur shpresën se kjo mund të sjellë përmirësim të marrëdhënieve mes Ukrainës dhe Hungarisë, si dhe zhbllokim të fondeve të Bashkimit Evropian për Kievin.
Disa qytetarë thanë se humbja e partisë së kryeministrit Viktor Orban pas shumë vitesh në pushtet është një zhvillim pozitiv, duke e konsideruar si një mundësi për ndryshim politik dhe afrimin e Budapestit me qëndrimet e BE-së ndaj luftës në Ukrainë.
Një specialist IT nga Kievi, Yurii Bondarenko, u shpreh se qëndrimi i gjatë i Orbanit në pushtet kishte sjellë pasoja politike dhe se ndryshimi është lajm i mirë. Ai shtoi se shpreson që me qeverinë e re të lehtësohet gjetja e gjuhës së përbashkët dhe të zhbllokohen fondet evropiane për Ukrainën.
Ndërkohë, qytetarë të tjerë u treguan më të rezervuar, duke theksuar se mbetet për t’u parë nëse ndryshimi i pushtetit do të sjellë vërtet politika të reja. Disa prej tyre vunë në dukje se lideri i ri hungarez, Péter Magyar, ka qenë më herët i lidhur me kampin politik të Orbanit, çka ngre pikëpyetje për ndryshime të thella.
Pavarësisht kësaj, shumë banorë të Kievit shprehën shpresë se një brez i ri politikanësh mund të ndikojë pozitivisht si në marrëdhëniet dypalëshe ashtu edhe në stabilitetin më të gjerë evropian./mxh
