Gazetarja dhe prezantuesja e njohur Lauren Sánchez Bezos ka lënë të hapur mundësinë për të pasur një fëmijë tjetër me bashkëshortin e saj, miliarderin Jeff Bezos.
Në një intervistë për The New York Times, 56-vjeçarja u shpreh me entuziazëm: “Do të bëja një fëmijë edhe nesër. Nesër.” Megjithatë, përfaqësues të saj sqaruan se ajo nuk është aktualisht shtatzënë, por thjesht nuk e përjashton një shtesë të re në familje në të ardhmen.
Çifti zyrtarizoi lidhjen e tyre me një dasmë luksoze në Venecia më 27 qershor, duke bashkuar kështu dy familjet e tyre të mëdha. Aktualisht, ata janë prindër të një familjeje të përzier me shtatë fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme.
Jeff Bezos ka katër fëmijë nga martesa me ish-bashkëshorten MacKenzie Scott, ndërsa Lauren është nënë e tre fëmijëve: Nikko nga lidhja me Tony Gonzales dhe Evan e Ella nga martesa me Patrick Whitesell.
Sánchez ka theksuar vazhdimisht rëndësinë që ka familja në jetën e saj. Ajo kujtoi me emocion një nga momentet më të veçanta të dasmës së tyre, fjalimet e fëmijëve: “Ishte momenti më i rëndësishëm për mua,” u shpreh ajo, duke nënvizuar se këto çaste e bënë ceremoninë edhe më kuptimplote.
Veçanërisht prekës ishte rrëfimi i djalit të saj Evan, i cili ka përballuar sfida me disleksinë. Ai ndau një kujtim nga fëmijëria, kur arriti të shkruante për herë të parë fjalinë “Unë mund ta bëj këtë”, një moment që, sipas Lauren, simbolizon forcën dhe besimin.
Sot, ajo e vendos familjen në qendër të gjithçkaje dhe nuk e përjashton mundësinë që ajo të zgjerohet edhe më shumë në të ardhmen./mxh
