Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton kanë rikthyer vëmendjen mbi ta, pasi janë parë së bashku gjatë festivalit Coachella, duke ushqyer edhe më shumë aludimet për një lidhje mes tyre.
Dyshja u shfaqën të shtunën në mbrëmje gjatë performancës së Justin Bieber, duke lëvizur në mes të turmës nën shoqërinë e truprojave. Edhe pse tentuan të kalonin pa u vënë re duke mbuluar fytyrat me maska dhe aksesorë, prania e tyre nuk kaloi pa u vënë re nga të pranishmit.
Sipas dëshmitarëve okularë, Kardashian dhe Hamilton qëndruan pranë njëri-tjetrit gjatë pjesës më të madhe të kohës. Në disa momente, ata janë parë edhe duke mbajtur duart, ndërsa lëviznin mes turmës. Kim kishte mbuluar kokën me një shall, ndërsa Hamilton ishte i pajisur me kapelë, syze dielli dhe një shall që i mbulonte fytyrën.
Kjo nuk është hera e parë që ata shihen bashkë. Që pas paraqitjes së tyre në Super Bowl, dyshja janë shfaqur shpesh në të njëjtat ambiente. Së fundmi, ata u fotografuan edhe në Tokio, ku sipas burimeve po qëndronin së bashku. Në atë udhëtim, Kim shoqërohej edhe nga fëmijët e saj, Saint, Chicago dhe Psalm, nga martesa me Kanye West.
Megjithëse asnjëri prej tyre nuk ka konfirmuar publikisht një romancë, paraqitjet e shpeshta dhe afrimiteti i dukshëm kanë shtuar dyshimet për natyrën e marrëdhënies së tyre./mxh
