Last Updated on 14/04/2026 by Anisa
Bllokada amerikane mbi portet iraniane hyri zyrtarisht në fuqi, e shoqëruar me paralajmërimin e prerë të Presidentit Trump për “eliminim të menjëhershëm” të çdo mjeti lundrues që tenton të sfidojë rrethimin, ndërsa Teherani deklaron se nuk do të dorëzohet para kërcënimeve.
Raportohet se një cisternë kineze kaloi nëpër Ngushticën e Hormuzit pavarësisht bllokadës amerikane, treguan të dhënat e transportit detar.
Për këtë arsye, cisterna dhe pronari i saj Shanghai Xuanrun Shipping Co Ltd u sanksionuan nga Shtetet e Bashkuara për marrëdhëniet me Iranin.
Ndërsa JD Vance akuzon Iranin për “terrorizëm ekonomik” në Ngushticën e Hormuzit, autoritetet detare ndërkombëtare paralajmërojnë anijet tregtare për prani të shtuar ushtarake. Paralelisht, Papa Leoni ka refuzuar të përfshihet në debate me Trump pas kritikave të fundit të këtij të fundit mbi politikën e jashtme.
Nga ana tjetër Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të marrë pjesë sot në bisedimet midis Izraelit dhe Libanit, duke pritur në Uashington një takim mes ambasadorëve të dy vendeve me qëllim nisjen e negociatave të drejtpërdrejta mes tyre.
Kështu raporton Axios, duke kujtuar se bisedimet, në kontekstin e përplasjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut dhe të një ndërhyrjeje të gjerë tokësore izraelite në jug të Libanit, do të përqendrohen në mundësinë e një armëpushimi dhe çarmatimin afatgjatë të Hezbollahut, si edhe në një marrëveshje paqeje mes dy vendeve, sipas disa burimeve.
