Përllogaritjet nxjerrin në pah një realitet ekonomik të frikshëm për humbjet që pëson ekonomia jonë kombëtare si pasojë e menaxhimit të pasaktë të inventarit hotelier, që arrin deri në 1.3 miliardë euro në vit, si rrjedhojë e mosshfrytëzimit të kapacitetit real të dhomave të hoteleve në vend.
E dhëna është e bazuar në një projeksion analitik të nxjerrë nga sistemi ynë ERP (një zgjidhje e centralizuar softuerike që automatizon operacionet e një agjencie udhëtimi, përfshirë menaxhimin e rezervimeve, të dhënat e klientëve dhe kontabilitetin).
Nga ky sistem janë marrë në shqyrtim 20,000 dhoma, një shifër kjo që përfaqëson afërsisht 1/10 e kapacitetit real të dhomave në Shqipëri.
Hendeku ekonomik midis kapacitetit dhe shfrytëzimit
Nëse llogarisim një vit me 365 ditë, ku shfrytëzimi maksimal mesatar luhatet diku te 110 ditë, rezulton se pjesa më e madhe e vitit mbetet e pashfrytëzuar. Duke llogaritur ditët e pashfrytëzuara me një mesatare modeste prej 60 euro për dhomë, humbja totale për ekonominë është në shifra alarmante.
Ky fenomen vjen si rrjedhojë e një mendësie të gabuar të pronarëve të hoteleve, të cilët synojnë maksimizimin e fitimit vetëm nëpërmjet çmimeve të larta të verës, duke tentuar të mbajnë të njëjtin nivel çmimesh edhe për zgjerimin e sezonit. Nëse llogariten 180.000 dhoma* 120 ditë të pashfrytëzuara * 60 euro = 1.3 miliard euro.
Modeli i suksesshëm i Mesdheut: Planifikimi si udhëheqës
Në diferencë me ne, vendet më të zhvilluara si Greqia, Spanja apo Turqia, e bazojnë ecurinë e tyre në punën profesionale të stafeve që merren me shitjet dhe planifikimin e të ardhurave (Revenue Management). Në këto shtete, planifikimi financiar është ai që dirigjon industrinë:
Cashflow i vazhdueshëm: Planet vjetore sigurojnë qarkullim monetar në çdo periudhë të vitit.
Kontrolli Bankar: Bankat kërkojnë raporte shitjesh që në fund të shkurtit, duke mos lejuar që klientët e tyre të kenë më pak se 50% të inventarit të pashitur për sezonin e ardhshëm.
Diversifikimi: Paketat ushqimore dhe llojet e çmimeve vendosen mbi baza shkencore dhe jo në dorë të fatit.
Drejt një “Armate” Profesionistësh dhe Dixhitalizimit
Zgjidhja për realitetin tonë është e thjeshtë në teori, por kërkon vullnet në zbatim: krijimi i një armate profesionistësh të shitjeve. Këta specialistë duhet të jenë të aftë të menaxhojnë inventarët 12 muaj të vitit nëpër të gjitha kanalet:
Teknologjia: Përdorimi i sistemit OBE (Online Booking Engine), kanaleve OTA, Bedbanks dhe kontratave të garancisë.
Diversiteti i Produkteve: Krijimi i paketave për grupe, individët, opsionet All Inclusive për DMC-të dhe menaxhimi i eventeve.
Shfrytëzimi i Transportit: Shqipëria gëzon avantazhin e kompanive “low cost” që fluturojnë gjatë gjithë vitit. Nëse kemi profesionistë që menaxhojnë inventarët, mund të shesim në çdo stinë.
Përfundim dhe Thirrje për Veprim e kush janë levat?
Sipërmarrja: Nga ngrohja në diell në produkt.
Shifrat e rënies në periudha të caktuara nuk vijnë nga mungesa e kërkesës, por nga mungesa e ofertës dhe mendësia e vjetër se “klientët vijnë vetë”. Është e gabuar të mbyllet hoteli në shtator dhe të mendosh për shitjet në maj, kur konkurrenca në qershor ka shitur tashmë 60% të kapacitetit. Zgjidhja e vetme mbetet dixhitalizimi i plotë, trajnimi i vazhdueshëm i punonjësve dhe një analizë e thelluar e bazuar në të dhëna reale nga institucionet dhe biznesi.
Agjensia Kombëtare e Turizmit: Nga “Këngë e Valle” në Një Menaxhim të Ardhurash Gjigand
Një tjetër aspekt i patolerueshëm në realitetin tonë është keqkuptimi i rolit të institucioneve drejtuese të turizmit. Në një ekonomi moderne, Bordi i Turizmit nuk është një agjenci eventesh, por është vetë truri që gjeneron të ardhurat për të gjithë industrinë. Ai është institucioni që duhet të orientojë me saktësi se cilët turistë duhet të vizitojnë Shqipërinë, duke analizuar tregjet më të favorshme që kanë aksesin, dëshirën, interesin dhe kulturën e duhur për produktin tonë.
Agjencia si parashikuesi strategjik i tregut
Agjencia Kombëtare e Turizmit duhet të funksionojë si një sistem “Revenue Management” (menaxhim të ardhurash) në shkallë makro. Është detyrë e këtij institucioni të parashikojë me një saktësi mbi 90% se sa gjermanë, anglezë apo turq do të kemi në vitin 2028. Pa këtë parashikim, biznesi privat mbetet në errësirë dhe investimet bëhen kuturu, pa një bazë të shëndoshë strategjike.
Fuqia e të dhënave: “Data, Data, Data”
Ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga dëshirat, por nga numrat. Në epokën e sotme, strategjia precize ndërtohet mbi tre shtylla:
Grumbullimi i të dhënave (Data): Çdo lëvizje, kërkesë online dhe trend duhet të jetë e dokumentuar.
Lexuesit e të dhënave: Shqipëria ka nevojë për ekspertë që interpretojnë këto shifra për të krijuar strategji të qarta.
Targetimi inteligjent: Nuk mund të kërkojmë “të gjithë” turistët. Duhet të synojmë ata që i përshtaten kapaciteteve tona dhe që gjenerojnë vlerë të lartë ekonomike gjatë gjithë vitit.
Përfundim: Truri që dikton rritjen
Është koha të kuptojmë se ky institucion është ai që duhet të mbajë timonin e të ardhurave kombëtare nga turizmi. Duke u fokusuar te analizat e bazuara në databaza të mirëfillta dhe jo në intuitën e momentit apo në tekat e algoritmit të rrjeteve sociale, ne mund të kalojmë nga një turizëm spontan në një industri të programuar për sukses. Dixhitalizimi dhe trajnimi i stafit nuk janë më zgjedhje, por domosdoshmëri për të mos e lënë sezonin në dorë të fatit./monitor.al
