Last Updated on 15/04/2026 by Anisa
Ndërtuesi i “Arlis”, Armand Lilo shpallet në kërkim nga policia për zjarrin në kompleksin te “Farmacia 10”. Policia ka arrestuar administratorin e pallatit dhe menaxheren e marketit në afërsi të të cilit dyshohet se ndodhi zjarri.
Shkaku i nisjes së zjarrit është ende i paqartë, ndërsa vatra ka qenë në katin 0 ngjitur me një market, në hapësirën e jashtme. Nuk dihet ende nëse ka pasur ndonjë kuti të shpërndarjes së energjisë elektrike në afërsi. Dyshohet se faktori kryesor që ka nxitur përhapjen e flakëve deri në katin e 12-të brenda një kohë të shkurtër, të ketë qenë materiali i fasadës së pallatit.
Materiali prej leshi xhami në shtresën e brendshme të fasadës së bardhë e të kuqe nuk është djegur totalisht. E gjithë veshja e bardhë e cila ndodhet në pjesën e jashtme është shkrumbuar tërësisht, kurse e kuqja duket tek-tuk që ka rezistuar disi.
Banorët tashmë kanë mbetur në qiell të hapur, pa një shtëpi për të jetuar, ndërsa ende nuk është gjetur një zgjidhje për strehimin e tyre.
Të martën, në QSUT u paraqitën 11 banorë që kishin pësuar djegie të lehta e asfiksi, ndërsa vetëm një grua ishte lënduar më rëndë. Zjarrfikësja përdori 3 autoshkallë për të evakuuar banorët, ndërsa në ndihmë erdhën edhe nga Vora e Kamza, si dhe dy helikopterë Cougar.
Sot ka ardhur dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama, i cili thotë se pallati do të rindërtohet nga vetë ndërtuesi. Ai shkruan se nga të dhënat paraprake, nuk duket të kenë qenë punimet ato që kanë shkaktuar flakët ndërsa bën thirrje për sigurim të banesave.
