Në mbledhjen e zhvilluar këtë të shtunë, më 18 prill, Bordi i Transparencës ka përcaktuar çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve në vend.
Kështu, sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin (naftën) nuk duhet të jetë më shumë se 197 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë është caktuar në maksimum 185 lekë për litër. Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 172 lekë për litër, ndërsa me shumicë në 160 lekë për litër.
Këto çmime hyjnë në fuqi që prej orës 10:30 të ditës së sotme dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku pritet të rishikohen në varësi të luhatjeve të tregut.
Mes të tjerash, Bordi i Transparencës u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve që operojnë në tregun e karburanteve të zbatojnë këtë vendim, duke paralajmëruar masa të rrepta në rast shkeljesh, përfshirë edhe pezullimin e aktivitetit.
Sa i përket nivelit të akcizës, sqarohet se çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar nga akti normativ në fuqi. Për këtë arsye, akciza do të vazhdojë të aplikohet në nivelin e plotë, pra 100%./kb
