Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka prezantuar një term të ri për të përshkruar ditët me temperatura ekstreme mbi 40°C, pas një vere historikisht të nxehtë që goditi vendin vitin e kaluar. Termi i ri “kokushobi”, përkthehet si “mizorisht i nxehtë” ose “brutalisht i nxehtë” dhe u përzgjodh si më e preferuara në një sondazh kombëtar online.
Sondazhi, i zhvilluar gjatë muajve shkurt dhe mars, përfshiu rreth 478 mijë pjesëmarrës, të cilët zgjodhën mes 13 alternativave për të emërtuar ditët me vapë ekstreme. Termi fitues synon të pasqyrojë më mirë intensitetin në rritje të temperaturave, të cilat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
Japonia tashmë përdor klasifikime të ndryshme për ditët e nxehta, duke përfshirë ato mbi 25°C, 30°C dhe 35°C. Megjithatë, rritja e temperaturave ka bërë të nevojshme një kategori të re për nivele edhe më të larta të nxehtësisë.
Vera e vitit 2025 u regjistrua si më e nxehta që nga fillimi i matjeve në vitin 1898, me temperatura mesatare 2.36°C mbi normalen. Gjatë kësaj periudhe, temperaturat kaluan 40°C për nëntë ditë, ndërsa u shënua edhe një rekord i ri kombëtar prej 41.8°C në qytetin e Isesaki-t.
Qytete të mëdha si Tokio dhe Kioto përjetuan gjithashtu një rritje të ndjeshme të ditëve me temperatura mbi 35°C, duke tejkaluar ndjeshëm mesataret historike. Për verën e ardhshme, autoritetet meteorologjike paralajmërojnë se ka gjasa të larta që temperaturat të mbeten mbi normalen nga qershori deri në gusht.
Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive në nivel global, kryesisht për shkak të aktivitetit njerëzor dhe përdorimit të lëndëve djegëse fosile./ kb
