Këngëtarja shqiptare nga Kosova, Rinesa, e njohur për publikun me emrin artistik Rinesancë, është ndarë nga jeta në moshë të re. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët e saj, duke prekur fansat dhe ndjekësit e artistes. Rinesa njihet gjithashtu dhe për pjesëmarrjen e saj si imazh në klipin e këngës “Lea”, e Alban Skënderajt.
Rinesancë, e cila kishte ndërtuar karrierën e saj muzikore edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishte ndarë më parë me ndjekësit një rrëfim të ndjerë për betejën e saj me një problem të rëndë shëndetësor.
Në një postim në rrjetet sociale në maj të vitit 2025, artistja zbuloi se po përballej me probleme serioze shëndetësore, të cilat kulmuan me shtrimin e saj me urgjencë në spital më 18 prill 2025. Pas ekzaminimeve mjekësore, ajo ishte diagnostikuar me tumor në tru dhe kishte kaluar dy ndërhyrje të vështira kirurgjikale.
Në atë kohë, këngëtarja ndodhej në një qendër rehabilitimi, ku pritej të niste trajtimin me radioterapi.
“Deri para një jave nuk e dija se çfarë po ndodhte. Mënyra se si kanë rrjedhur të gjitha është një bekim në vetvete për mua. Muzika është motivimi për ta kaluar këtë sfidë”, ishte shprehur ajo në rrëfimin e saj, duke falënderuar familjen, ekipin dhe bashkëpunëtorët që i kishin qëndruar pranë në atë periudhë të vështirë./mxh
