Nënpresidenti ka kaluar javën e tij më poshtëruese – dhe më të dëmshme – si “kokë turku” i shefit të tij. Sa mund të përballojë më shumë shpresa e madhe e lëvizjes Maga?
Simon Tisdall*
Për një president të ardhshëm të mundshëm, JD Vance ka zakonin e keq të përfshihet në beteja që nuk mund t’i fitojë. Tre përballje të humbura javën e kaluar – me negociatorët iranianë, votuesit hungarezë dhe Papa Leon – sollën mbi të censurë, poshtërim dhe tallje. Asnjëra nuk ishte zgjedhje e tij. Të gjitha u zhvilluan në emër të Donald Trump.
Nënpresidenti po paguan një çmim të lartë për besnikërinë e verbër ndaj shefit të tij. Vlerësimet e tij në sondazhe po bien. Shpresat e tij për pasardhje brenda Maga-s po lëkunden. Ai vuan nga shoqërimi me Trump-in, ndonëse shpesh deklaratat e tij të zjarrta dhe gjykimet e gabuara i përkeqësojnë gjërat. Megjithatë, mes dyshimeve në rritje për shëndetin mendor dhe aftësinë e Trump-it për të qeverisur, Vance mbetet njeriu i radhës në Shtëpinë e Bardhë.
Duke qenë se pritet të kandidojë për president në vitin 2028, lind pyetja: a do të vazhdojë Vance të luajë rolin e “kokës së turkut” për Trump për dy vjet e gjysmë të tjera, duke shpresuar të mbijetojë, si Klaudiusi ndaj Kaligulës? Apo, përballë një katastrofe politike ndërsa “mbreti i çmendur” tërheq të gjithë poshtë, do të kthehet kundër tij, si Bruti kundër Cezarit?
Besnikëria e Vance nuk është e ndërsjellë. Kujto fatin e Mike Pence, nënpresidentit të parë të Trump, që refuzoi të bllokonte rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Trump thuhet se mbështeti sulmuesit e Kapitolit që kërkonin varjen e Pence për tradhti. Trumpi nuk heziton të flakë jashtë bashkëpunëtorët e tij kur i leverdis, sado besnikë të jenë. E njëjta gjë vlen edhe për Vance, por edhe ai vetë ka ndryshuar qëndrime: dikur e quante Trump-in “Hitleri i Amerikës”, përpara se të kthehej në një nga mbrojtësit e tij më të fortë.
Vance ka ndryshuar qëndrime edhe për ndërhyrjet ushtarake: dikur kundërshtar i tyre, tani mbështet sulme në vende si Venezuela, Iraku, Siria, Jemeni, Somalia, Nigeria dhe Irani. Ai u kthye në katolik në vitin 2019 dhe e përdor këtë për të forcuar mbështetjen mes konservatorëve fetarë, ndonëse shpesh sfidon vetë Vatikanin dhe mësimet papale.
Me pak fjalë, Vance paraqitet si një oportunist i ashpër, një figurë që ndryshon bindje sipas leverdisë politike. Por ai ka një avantazh ndaj pjesës tjetër të kabinetit: Trump nuk mund të shkarkojë një nënpresident të zgjedhur. Megjithatë, sipas amendamentit të 25-të, Vance vetë mund të ndihmojë në largimin e Trump-it.
Vance do të presë momentin e duhur. Por dështimet e Trump-it në Iran dhe sjellja e tij gjithnjë e më e paqëndrueshme po e dëmtojnë edhe vetë Vance-in. Ai po humb terren ndaj Marco Rubio-s në garën e brendshme republikane, dhe sipas sondazheve është ndër nënpresidentët më të papëlqyer në historinë moderne.
Javën e fundit ai u përball me tre goditje të njëpasnjëshme politike. Viktor Orbán kërkoi mbështetjen e Trump-it në zgjedhjet e Hungarisë, por në vend të tij u dërgua Vance – një mision pa rezultat. Po ashtu, negociatat për Iranin dështuan, dhe Vance u bë fytyra publike e këtij dështimi. Ai gjithashtu u përfshi në polemika me Papën, duke e kritikuar atë dhe duke i kërkuar të “mos merret me paqen”, gjë që u konsiderua arrogante dhe politike e gabuar.
Në vend që të mbrojë Papën si katoliku më i lartë në administratë, Vance e sfidoi atë, duke u vënë kundër një pjese të madhe të besimtarëve në SHBA dhe Evropë. Ai gjithashtu justifikoi si “shaka” një imazh të Trump-it të paraqitur si figurë e Krishtit – një veprim që u konsiderua provokues dhe i rrezikshëm politikisht.
Në fund të javës së trazuar, Trump po shfaqet gjithnjë e më i dobësuar politikisht dhe personalisht, ndërsa pakënaqësia publike po rritet. Edhe nëse ai nuk është vërtet “i çmendur”, shumë amerikanë besojnë se është i paqëndrueshëm, i papjekur dhe pa gjykim të qartë.
Ndërsa Trump përkeqësohet politikisht, Vance mund të përpiqet të pozicionohet si trashëgimtari i natyrshëm i Maga-s. Por për ta bërë këtë, ai do të duhet të shkëputet prej tij – një hap i vështirë, por ndoshta i domosdoshëm.
Nëse arrin të tregojë maturi, shtetari dhe përmbajtje, ai mund të shpëtojë karrierën e tij. Por deri atëherë, ai mbetet i lidhur fort me një figurë që po tërheq poshtë edhe ata rreth tij. Dhe për Vance, koha po mbaron.
