Tregu shqiptar i energjisë elektrike nuk është ende gati të shërbejë si bazë për mekanizmat modernë të mbështetjes së energjisë së rinovueshme, sipas një vlerësimi të fundit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
Në raportin e parë për gatishmërinë e tregut të ditës-në-avancë, ERE del në përfundimin se “tregu DAM i ALPEX ende nuk është gati për t’u përdorur si çmim referencë për kontratat për mbështetje të energjisë elektrike në Shqipëri”.
Vlerësimi nxjerr në pah mungesën e likuiditetit si një nga problemet kryesore të tregut. Sipas ERE, “faktori i qarkullimit në ALPEX rezulton më i ulët se në të gjitha tregjet krahasuese”, çka e vendos Shqipërinë pas vendeve të Bashkimit Evropian. Njëkohësisht, diferenca mes ofertës dhe kërkesës mbetet e lartë, pasi “bid-ask spread” në ALPEX është më i lartë se në HUPX gjatë vitit 2019”.
Sipas vlerësimit në “25 për qind të orëve thellësia e tregut është më pak se 145.9 MË, çka do të thotë se tregu i ditës-në-avancë i ALPEX nuk do të kishte qenë në gjendje të përthithte 145.9 MW kapacitet të ri me çmim pozitiv në 25 për qind të kohës gjatë 12 muajve ndërmjet nëntorit 2024 dhe tetorit 2025”.
Kjo tregon se i ALPEX mund të ketë vështirësi në përthithjen e kapacitetit të ri të energjisë (siç është energjia e prodhuar nga burime të rinovueshme apo kapacitete të reja prodhimi) në periudha të caktuara kur kërkesa është më e ulët. Një situatë si kjo ngre shqetësime për integrimin e projekteve të reja të energjisë së rinovueshme në të ardhmen sidomos duke pasur parasysh vrullin e fotovolatikeve.
Megjithatë, ERE sjell në vëmendje edhe zhvillime pozitive në funksionimin e tregut. Sipas raportit, tregu “ka prodhuar një sinjal çmimi të pandërprerë për më shumë se 10 muaj” dhe “numri i pjesëmarrësve është i krahasueshëm me tregjet e BE-së”. Në aspektin e konkurrencës, “tregu i çiftuar është konkurrues në anën e shitjes dhe mesatarisht i përqendruar në anën e blerjes”, duke treguar një strukturë ende në zhvillim.
Integrimi rajonal mbetet një element kyç i funksionimit të tregut. Shqipëria dhe Kosova operojnë tashmë në një treg të përbashkët, ku “çmimet e tregut janë të njëjta në më shumë se 99 për qind të orëve”, duke përmirësuar efikasitetin, por edhe duke reflektuar ndërvarësi të lartë.
Në përfundim, ERE thekson se, pavarësisht progresit të bërë, “tregu i ditës-në-avancë i ALPEX-it nuk është aq likuid sa tregjet krahasuese” dhe nuk plotëson ende kushtet për të mbështetur kalimin drejt kontratave për mbështetje . ERE pritet të vijojë me vlerësime periodike, ndërsa tregu shqiptar i energjisë mbetet në një fazë tranzicioni./reporter.al
