Në Pekin është zhvilluar një gjysmë-maratonë e veçantë ku për herë të parë morën pjesë dhjetëra robotë humanoidë, krahas vrapuesve njerëzorë.
Më shumë se 100 robotë të prodhimit kinez u nisën në të njëjtën kohë me garuesit njerëzorë dhe përshkuan të njëjtën trase, ndërsa organizatorët kishin vendosur korsi paralele për të shmangur përplasjet.
Roboti fitues, i zhvilluar nga kompania kineze e teknologjisë Honor, e përfundoi garën për 21 kilometra në kohën 50 minuta e 26 sekonda, duke përmirësuar ndjeshëm rekordin e vitit të kaluar, i cili ishte 2 orë e 40 minuta.
Ngjarja u pa si një demonstrim i përparimit të shpejtë të Kinës në fushën e robotikës dhe inteligjencës artificiale. Pekini synon të bëhet një fuqi botërore në këtë industri, duke mbështetur zhvillimin përmes subvencioneve dhe projekteve të mëdha infrastrukturore për kompanitë vendase./mxh
