Vajza e legjendës së WWE, Brooke Hogan, ka rrëfyer se është penduar për vendimin që i ati ta përjashtonte nga testamenti, një vendim që e kishte marrë dy vite përpara ndarjes së tij nga jeta. Siç theksoi ajo, arsyeja nuk lidhet me përfitime financiare, por me faktin se tashmë nuk ka qasje as në dokumente të rëndësishme, si raporti i autopsisë.
Ikona e WWE, Hulk Hogan, ndërroi jetë 71 vjeç korrikun e kaluar si pasojë e një ataku kardiak.
“Pendohem për këtë vendim? Po”, deklaroi Brooke Hogan në një intervistë për podcast-in Hollywood Raw. Ajo sqaroi se largimi nga testamenti nuk kishte të bënte me para, por me pasojat që solli më vonë.
Gjatë intervistës, moderatorja ndërhyri duke sugjeruar se mungesa e saj në testament e kishte lënë jashtë vendimmarrjes familjare.
“Dhe është ironike, sepse njerëzit tani sillen sikur unë jam shkëputur vetë nga gjithçka”, tha ajo.
Ajo theksoi gjithashtu se marrëdhëniet familjare kanë ulje-ngritjet e tyre dhe se një periudhë moskomunikimi nuk e ndryshon faktin që ajo mbetet vajza e Hogan.
“Nuk do të thotë që nuk jam po aq e rëndësishme sa Nick”, u shpreh ajo, duke iu referuar vëllait të saj, Nick Hogan.
Brooke Hogan tregoi se ndihet e trajtuar si e huaj dhe shpjegoi arsyet që e shtynë të kërkonte përjashtimin nga testamenti në vitin 2023. Sipas saj, kishte situata që e kishin frikësuar seriozisht.
“E bëra sepse kisha frikë për veten, familjen time dhe sigurinë time”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se asnjë shumë parash nuk mund të kishte rëndësi përballë ndjenjave që përjetonte në atë kohë.
“Kishte shumë persona rreth babait tim për të cilët isha e bindur se nuk ishin njerëz të mirë. U përpoqa ta paralajmëroja, por ndjeva se nëse do të vazhdoja të këmbëngulja, mund të vihesha në rrezik”, deklaroi ajo.
Në shtatorin e kaluar, Brooke Hogan kishte komentuar sërish për mungesën e saj në testamentin e të atit, i cili la pas një pasuri prej rreth 5 milionë dollarësh. Në një prononcim për TMZ, ajo kishte thënë se vendimi nuk e kishte befasuar.
“Ishte pikërisht ajo që kërkova. E mbështes dhe nuk pendohem. Babai im e di që jam punëtore dhe se kam arritur të qëndroj në këmbët e mia pa paratë e tij prej shumë kohësh”, ishte shprehur ajo në atë kohë./mxh
