Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjeve me Këshillin e Ministrave të Republikës së Shqipërisë lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se këto marrëveshje kanë për qëllim sigurimin e një organizimi të suksesshëm të këtij eventi të madh sportiv, përmes një kornize të qartë bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Sipas tij, Kosova do të jetë shteti mikpritës, ndërsa Shqipëria do të ketë rol partner në organizimin e disiplinës së lundrimit në Durrës.
Kurti theksoi se marrëveshja siguron përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e qytetit mikpritës dhe dokumentet ndërkombëtare përkatëse. Ai shtoi se ky projekt përfaqëson një mundësi të rëndësishme për rritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe për zhvillimin e sportit dhe ekonomisë, duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
