Aktorja franceze Nadia Farès ka ndërruar jetë në moshën 57-vjeçare, vetëm një javë pasi u gjet pa ndjenja në një pishinë në Paris.
Lajmi u konfirmua nga vajzat e saj, Cylia dhe Shana Chasman, të cilat përmes një deklarate për mediat shprehën dhimbjen e thellë për humbjen. “Me trishtim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të Nadia Farès këtë të premte. Franca ka humbur një artiste të madhe, por për ne është mbi të gjitha nëna jonë që humbëm,” thuhet në reagimin e tyre.
Sipas raportimeve, aktorja u nxor pa ndjenja nga një pishinë në një palestër private në Paris më 11 prill, pasi pësoi arrest kardiak dhe ra në koma. Ajo ndërroi jetë disa ditë më vonë në spitalin Pitié-Salpêtrière Hospital.
Autoritetet kanë hapur një hetim për rastin, megjithatë deri më tani nuk ka prova për ndonjë shkelje apo veprim të dyshimtë.
Farès kishte pasur probleme serioze shëndetësore në të kaluarën. Në vitin 2007, ajo kishte zbuluar se i ishte nënshtruar një operacioni në tru për shkak të një aneurizme, të cilën e kishte përshkruar si “një bombë me sahat”. Gjithashtu, ajo kishte kryer edhe tre operacione në zemër.
E lindur në Marrakesh, ajo u bë e njohur në fillim të viteve 2000 me rolin në filmin The Crimson Rivers, dhe më pas mori pjesë në projekte të shumta kinematografike franceze dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe prodhimin hollywoodian “Storm Warning”.
Sipas mediave franceze, Farès ishte në prag të një projekti të ri, ku pritej të debutonte si regjisore dhe skenariste në një film aksion-komedi që do të niste xhirimet në shtator 2026.
Në një postim prekës në rrjetet sociale, vajza e saj Cylia e përshkroi humbjen si një dhimbje të papërballueshme, duke e cilësuar nënën e saj jo vetëm si një prind të jashtëzakonshëm, por edhe si shoqen e saj më të mirë./MXH
