Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka tërhequr vëmendjen gjatë provave për ceremoninë e Ditës së Pavarësisë së Izrael, duke performuar spontanisht këngën “Libre”, e lidhur shpesh me fushatën e tij politike.
Gjatë provës së zhvilluar të dielën, Milei iu bashkua dy artistëve në skenë, në një moment që mediat izraelite e cilësuan si një homazh për presidentin argjentinas dhe jo pjesë zyrtare e ceremonisë.
Milei, i cili mbërriti në Izrael po atë ditë, pritet të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ndezjes së pishtarëve të martën në mbrëmje, ku do të ketë edhe rolin simbolik të ndezjes së një pishtari ceremonial.
Gjatë provave, ai recitoi në hebraisht formulën tradicionale të ceremonisë: “për lavdinë e Shtetit të Izraelit”, përpara se të ndizte pishtarin, në përputhje me protokollin.
Sipas mediave vendase, segmenti i tij është regjistruar paraprakisht, pasi presidenti pritet të largohet nga vendi të martën. Edhe vetë provat e ceremonisë janë regjistruar këtë vit për arsye sigurie, në kontekstin e armëpushimit me Iran dhe shqetësimeve për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit.
Ceremonia e Ditës së Pavarësisë shënon përfundimin e aktiviteteve për Ditën e Përkujtimit dhe nisjen e festimeve kombëtare në Izrael, duke u transmetuar drejtpërdrejt për publikun./mxh
