Last Updated on 20/04/2026 by Monika
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të sektorit të agroturizmit, ka akuzuar opozitën për, siç u shpreh ai, “eksportim të baltës dhe helmit” nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian me qëllim goditjen e qeverisë.
Rama iu referua veçanërisht debatit për ndryshimet në ligjin për portet turistike, duke thënë se Partia Demokratike e Shqipërisë kishte ngritur shqetësime edhe në nivel ndërkombëtar, përfshirë Bashkimin Europian, duke e paraqitur çështjen si problematike.
Sipas tij, ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për të mos penguar investitorët që ndërtojnë projekte turistike në bregdetin shqiptar, veçanërisht kur bëhet fjalë për investime në prona private që përfshijnë edhe pontile apo marina të vogla.
“Investitorëve u kërkohet të bëjnë tender për pjesë të veçanta të projektit, si pontili apo marina, edhe kur ata kanë investuar tërësisht në zonë,” u shpreh Rama, duke e konsideruar këtë praktikë si pengesë burokratike që, sipas tij, ngadalëson zhvillimin.
Ai shtoi se Shqipëria ka mungesë të theksuar të pikave të ankorimit për anije turistike, duke theksuar se kjo nuk lidhet vetëm me marina të mëdha si ato të Durrësit apo Vlorës, por edhe me porte të vogla që mungojnë në gjithë bregdetin.
Rama kritikoi gjithashtu debatet politike rreth çështjes, duke i cilësuar ato si të shtrembëruara dhe të dëmshme për klimën e investimeve, ndërsa theksoi se, sipas tij, opozita nuk ka lidhje me administrimin e shtetit pas viteve të gjata jashtë qeverisjes.
“E para, më vjen mirë nëse e kam shpjeguar si duhet Paketën e Maleve sepse do duhet ta shpjegojmë shumë shpesh, sepse ka shumë “helm” që hidhet çdo ditë këtu, siç besoj mund ta keni parë, mund mos ta keni parë, rezistencën idiote që u bë për një ndryshim krejt të thjeshtë për portet në parlament, aq sa u vu alarmi edhe në Bashkimin Europian. U çua nga këtu atje, se në këtë pikë domethënë jemi i pari dhe unë jam i bindur, i fundit vend kandidat në historinë e zgjerimit të Bashkimit Europian, që “eksportojmë baltë dhe helm” nga kryeqyteti ynë drejt kryeqyteteve të tjera dhe u tha që “qeveria po ndryshon ligjin se do t’i japë oligarkëve portet pa garë’’.
Në fakt, ndryshimi është i domosdoshëm për të mos penguar dhe për të mos vonuar dhe marrë zvarrë, investitorët të cilët investojnë në bregdet në pronat e tyre, dhe vijnë me një projekt që ka dhe një pontil apo një marinë të vogël dhe përgjigjja që marrin është: “mund ta marrësh lejen për këtë pjesën tjetër, për pontilin dhe për marinën duhet bërë tender”. Sepse në ligjin ekzistues, normal, duke qenë se deti është nën administrimin total të shtetit, për portet turistike që ndërton, që nxjerr në garë qeveria, bëhet garë, ndërsa t’i thuash tjetrit që “ti investoje gjithë këtë këtu, po për parkimin, se porti është një parkim i anijeve, për parkimin do bëjmë një garë’’, i bie që të krijosh “territore luftrash” midis le njëherë që ai që bën investimin do të thotë “po heq fare pontilin’’.
Ne jemi një vend që kemi një defiçencë shumë të madhe me pikat e ankorimit në det, shumë të madhe. Qindra e qindra porte kanë të tjerët, ankorimi, dhe këtu s’flitet për porte si Marina e Durrësit apo si Marina e Vlorës që janë marina të mëdha turistike. Këtu dhe për porte të vogla dhe vëmë në diskutim këtë gjë. Pra, flitet për çdo gjë në mënyrë të mbrapshtë sepse nuk kanë dhe faj, nuk kanë dhe faj, u bënë kaq shumë vite që s’kanë lidhje fare me punët e shtetit”, tha Rama./mxh
