Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur të mbajë të pandryshuara tarifat e shpërndarjes së energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët, për periudhën 1 maj – 31 dhjetor 2026.
Vendimi i bordit të ERE parashikon që tarifa mesatare e shpërndarjes të mbetet në nivelin 5.89 lekë/kWh, ndërsa tarifat sipas niveleve të tensionit vijojnë pa ndryshime. Konkretisht, për klientët e lidhur në tension 35 kV tarifa do të jetë 1.55 lekë/kWh, për ata në nivelin 0.6–20 kV 3.99 lekë/kWh dhe për konsumatorët në tensionin 0.4 kV 6.42 lekë/kWh.
Sipas analizës së kryer nga rregullatori, të ardhurat që gjenerohen nga tarifat aktuale janë të mjaftueshme për të mbuluar kostot operative të operatorit të shpërndarjes dhe për të garantuar vijueshmërinë e shërbimit.
Megjithatë, ERE evidenton se operatori i shpërndarjes vijon të përballet me sfida në aspektin financiar, pasi struktura e kapitalit rezulton ende negative, duke krijuar rreziqe për qëndrueshmërinë në afatmesëm.
Në vendim theksohet gjithashtu rëndësia e garantimit të furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, duke nënvizuar se kostoja e ndërprerjeve është më e lartë se çdo komponent tjetër në zinxhirin e furnizimit, çka kërkon minimizimin e tyre dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.
Ndërkohë, ERE ka lënë të hapur mundësinë për rishikimin e plotë të tarifave në periudhën e ardhshme rregullatore, pasi të jenë analizuar të dhënat e plota financiare dhe teknike për vitin 2025 dhe aplikimi i ri i OSSH për tarifat e ardhshme./et
