Pak makeup artistë kanë arritur të formësojnë në skenën moderne të bukurisë emrin e tyre si Mario Dedivanovic ose, siç njihet botërisht, Makeup by Mario. Ai u shfaq për herë të parë përkrah Kim Kardashian, e dalë nga dalë stili i tij arriti të ndërtojë një prej markave më të lakmuara, kjo falë pasionit, e sidomos faktit sesi teknika e tij arriti të kthehej në sinonimin e grimit të përsosur, falë konturimit që thekson tiparet e fytyrës. Makeup artisti shqiptar nga Mali i Zi, e filloi karrierën e tij në një parfumeri në Sephora, ku zbuloi pasionin për makeup-in dhe brenda pak vitesh ai u bë një nga artistët më të kërkuar nga yjet dhe revistat e modës.
Teknika ikonike ‘contour dhe highlight’ ishte firma e tij finale e cila e çoi drejt krijimit të markës së tij të kozmetikës. Filozofia e tij e grimit lëkurë që duket si lëkurë, sy smokey që magjepsin dhe një vëmendje ndaj detajeve drejt perfeksionizmit, e kthyen atë në emrin më të kërkuar. Tani ai feston 25 vjet karrierë, ndaj për të ky moment historik duket po aq surreal, sa kur ndihmoi klientin e tij të parë në zgjedhjen e një buzëkuqi në Sephora.
Cili është mësimi më i madh që keni mësuar rreth bukurisë dhe biznesit?
Të mos dorëzohem dhe të ndjek intuitën time. Industria e bukurisë është në zhvillim të vazhdueshëm, kështu që është e rëndësishme të qëndroj gjithmonë besnik ndaj vetes, vizionit dhe vlerave. Në një botë të drejtuar nga mediat sociale, komuniteti i makeup artistëve ka ndryshuar, nga tutorialet e TikTok-ut deri te njerëzit që shesin produktet në dyqane.
Si e tregon ti qasjen ndaj këtij ndryshimi?
Më pëlqen gjendja e botës së bukurisë sot. Është kaq e bukur të shohësh njerëz nga e gjithë bota, që lidhen dhe ndajnë këshillat apo truket e tyre në mediat sociale. Do ta kisha dashur shumë këtë hapje kur po filloja. Kjo ishte edhe arsyeja që fillova të ndaja hapur të gjitha teknikat e mia të grimit para një audience krejt të panjohur. E dua komunitetin virtual dhe mendoj se është shumë i rëndësishëm pasi vazhdojmë të mësojmë dhe të rritemi së bashku.
A ju mungon koha që kalonit si grimier?
Unë ende po kaloj shumë kohë si grimier për të mbushur pasionin tim. Nga seancat e masterclass te klientët e mi, e bëj këtë çdo ditë, por me produktet e mia. Më pëlqen inovacioni dhe dua të vazhdoj të edukohem pasi besoj kam shumë për të mësuar. Ekipi im në Makeup By Mario më sugjeron vazhdimisht zhvillimin e produkteve dhe teknikave të reja, ndaj u jam atyre shumë mirënjohës.
Çfarë pëlqeni më shumë, shkëlqimin e tapetit të kuq apo të seteve fotografike?
Më pëlqen të krijoj për të dyja rastet, por më shumë dua të krijoj një pamje që është po aq e bukur në fytyrë sa është në fotografi. Më pëlqejnë shtresat e buta që përmirësojnë pamjen dhe i bëjnë klientët e mi të duken sikur kanë lindur në atë shkëlqim të bukur kur qëndron përballë tyre.
Cilat produkte dhe marka janë të preferuara tuaja për përgatitjen e lëkurës para aplikimit të grimit?
Ka shumë, por unë ndihem komod në përdorimin e kremit hidratues si bazë dhe disa produkte të mia, si: Lait-Crème Concentré nga Embryolisse dhe The Rich Cream nga Augustinus Bader. Të dyja kanë qenë pjesë e pandarë e çantës sime për vite me radhë.
Cili produkt Makeup by Mario ndryshoi gjithçka për markën tuaj?
Lancimi i fondatinës SurrealSkin në dhjetor 2022 ishte goxha transformues. Krijimi i një fondatine është ëndrra e çdo makeup artisti, por edhe një investim për një markë të re, kështu që më është dashur të prisja shumë derisa të vinte koha e duhur. Ishte ndryshe sepse ky produkt kishte disa nuanca, gati 30 dhe unë u kujdesa që secila të ishte e përsosur. Ishte e lodhshme, por procesi ia vlejti, u pëlqye aq shumë sa u lançua në Sephora dhe brenda pak kohës ishte fondatinta e dytë më e shitur në historinë e këtij rrjeti botëror dyqanesh. Ndihem kaq krenar për SurrealSkin, një produkt që mbetet nga më të dashurat e markës sime.
Cili është sekreti që t’i qëndroni besnik artit tuaj përmes produkteve?
Të gjitha produktet e mia kanë cilësi profesionale dhe janë krijuar për t’u aplikuar me lehtësi dhe në shtëpi. Për shembull, mund ta vendosni butësisht në fytyrën tuaj SoftSculpt pa pasur nevojë të shkoni te një makeup artist, mjafton një furçë, ose mund të aplikohet edhe me gishta. Prakticiteti dhe thjeshtësia janë sekreti.
Cilat janë pasionet tuaja përtej profesionit – a keni ndonjë ritual që ju ndihmon të pushoni?
Sa herë kam kohë të lirë shkoj në shtëpinë time, e cila gjendet në mes të natyrës dhe meditoj. Më pëlqen të kaloj kohë në kopshtin tim, me kafshët e mia shtëpiake, me familjen dhe miqtë.
Cilat trende të grimit parashikoni se do të dominojnë këtë vit?
Mendoj se viti 2026 do të sjellë disa ndryshime argëtuese. Trendet e lëkurës së freskët që kemi parë gjatë dy viteve të fundit, si lëkura prej qelqi do të kalojnë në një pamje më natyrale, të butë dhe mat. Hijet e syve me shkëlqim do të vazhdojnë të kenë momentin e tyre, veçanërisht nuancat e tejdukshme, unë sugjeroj paletën time Ethereal Eyes Nature Palette të shoqëruar me lapsa dhe vijëzues sysh. E zeza dhe kafeja janë opsione klasike, por mos kini frikë të luani me nuanca të tjera. Provoni lapsin tim Master Pigment Pro në ngjyrë kumbulle ose Bronz për ta ndryshuar.
Çfarë këshille i jepnit vetes suaj?
Puno shumë, ji profesional, qëndro besnik ndaj vetes, qëndro larg zhurmës, ji njeri i mirë dhe mos u dorëzo. Nëse i bën të gjitha këto, të jeni të sigurt se gjithçka do të shkojë mirë dhe do të ndiheni akoma më i ri./mxh
