Kompania ajrore gjermane Lufthansa ka njoftuar anulimin e mbi 20 mijë fluturimeve të planifikuara për periudhën maj–tetor 2026, në një nga reduktimet më të mëdha të operacioneve në industrinë globale të aviacionit.
Sipas një deklarate zyrtare, masa synon kursimin e karburantit, në një kohë kur çmimi i kerozinës (ose vajguri, lëng hidrokarbur që përdoret si karburant për avionët) është më shumë se dyfishuar që nga fillimi i krizës në Lindjen e Mesme.
Kompania bëri të ditur se nga 20 prilli ka nisur anulimi i rreth 120 fluturimeve të shkurtra në ditë. Fillimisht do të preken linjat më pak fitimprurëse nga aeroportet kryesore të Munich dhe Frankfurt, një masë që do të mbetet në fuqi gjatë gjithë sezonit veror deri në mes të tetorit.
Sipas vlerësimeve të kompanisë, kjo strategji pritet të kursejë të paktën 40 mijë tonë metrikë karburant për avionë, i cili do të ridrejtohet drejt fluturimeve me kërkesë më të lartë dhe me përfitim më të madh ekonomik.
Vendimi pritet të ndikojë drejtpërdrejt tek udhëtarët, veçanërisht turistët gjermanë, duke reduktuar opsionet e udhëtimit gjatë sezonit veror.
