Nga Sejdin Cekani
Gjuha shqipe ka një fjalë të veçantë, të ngarkuar me peshë kuptimore: ndeshtrashë. Ajo përshkruan një hall të madh që i bie dikujt mbi krye, një situatë të ngatërruar dhe të vështirë për t’u zgjidhur. Nëse u hedhim një vështrim zhvillimeve politike të një viti pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, kjo fjalë duket se përmbledh më së miri gjendjen ku është katandisur politika shqiptare.
Në fakt, ajo që ka ndodhur gjatë këtij njëvjeçari nuk është as befasuese, as e papritur. Shenjat qenë të dukshme që në fushatën elektorale. Gara e atëhershme nuk ishte një përballje vizionesh, programesh apo alternativash zhvillimi, por bollëk premtimesh, shpesh të shkëputura nga realiteti, aspak të njëmendta. Disa prej tyre ishin të pamundura për t’u realizuar e disa të tjera ishin në kufijtë e qesharakes.
Dy kampet kryesore politike, të vetëquajtura si “europianistë” dhe “madhështorë”, hoqën dorë nga çdo përpjekje për të ruajtur identitetin ideologjik dhe u mbërthyen fort pas populizmit dhe pragmatizmit të ngushtë elektoral.
Në këtë klimë, qytetarët – votuesit e 11 majit – nuk arritën të identifikonin një alternativë të qartë dhe të besueshme që do të garantonte përmirësimin e jetës së tyre, që do të luftonte korrupsionin, do të forconte sistemin e drejtësisë, do të zhvillonte ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë.
Normalisht, në një demokraci funksionale, barra kryesore për të ofruar alternativa bie mbi opozitën. Ajo është thirrur të artikulojë një vizion tjetër, të japë garanci për qeverisje më të mirë, të propozojë mekanizma konkrete për frenimin e korrupsionit dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Por çfarë ndodhi në të vërtetë?
Një vit më pas, bilanci është zhgënjyes në të dy krahët. Shumica qeverisëse nuk ka prodhuar ide të reja zhvillimore, por është përballur me një sërë skandalesh dhe akuzash për korrupsion. Ministra dhe zyrtarësh të lartë kanë përfunduar në rrjetën e drejtësisë, duke dëshmuar jo vetëm për probleme individuale, por për një sëmundje strukturore të qeverisjes.
Nga ana tjetër, opozita, që premtonte një “Shqipëri madhështore”, nuk arriti të ndërtojë ndonjë alternativë serioze. E frymëzuar më shumë nga imitimi i modeleve populiste ndërkombëtare sesa nga realiteti shqiptar, ajo u tërhoq drejt një retorike proteste të vazhdueshme, të quajtur herë “kryengritje paqësore”, herë një lloj revolucioni permanent. Në mungesë të pjesëmarrjes në pushtet, energjia e saj po shpenzohet nëpër spektakle politike.
Kështu, si shumica, ashtu edhe opozita, gjatë këtij viti nuk kanë prodhuar ndonjë bilanc real. Ato kanë mbetur të ngërthyera në një cikël të pafund retorike, ku fjalët zëvendësojnë veprimin dhe slogani zëvendëson politikën. Ndërkohë, ekonomia, shërbimet publike dhe jeta e përditshme e qytetarëve mbeten thuajse në vendnumëro.
Ajo që bie më shumë në sy është degradimi i diskursit publik. Politika nuk përpiqet më të bindë, por të dominojë përmes zhurmës. Hakmarrja, banaliteti dhe shpesh vulgariteti po kthehen në instrumente të zakonshme komunikimi. Një garë e çuditshme përtalljesh dhe batutash, e ngjashme me një lloj “sporti” popullor, ka zëvendësuar debatin racional.
Në këtë klimë, politika dhe politikanët, së bashku me zgjatimet e tyre mediatike, shpesh zënë vendin e parë për artikulime të varfra, për sjellje mediokre dhe për një mungesë të theksuar serioziteti institucional. Kjo nuk është thjesht çështje stili, por një problem i thellë i kulturës politike.
Shkencat sociale e kanë shpjeguar prej kohësh këtë fenomen: kur demokracia hyn në krizë dhe kur elitat politike dështojnë të përmbushin rolin e tyre, hapet rruga për populizmin. Ai ofron përgjigje të thjeshta për probleme komplekse, krijon armiq imagjinarë dhe mobilizon përmes emocioneve, jo përmes arsyes.
Por në kontekstin shqiptar, problemi shkon edhe më tej. Populizmi dhe vulgariteti nuk kanë mbetur vetëm në majat e politikës. Ato kanë filluar të depërtojnë në vetë indin shoqëror. Segmente të tëra të shoqërisë e kanë përvetësuar këtë gjuhë dhe këtë mënyrë të menduarit, duke e bërë edhe më të vështirë rikthimin te një diskurs i shëndetshëm publik.
Kostoja e kësaj gjendjeje është e lartë. Populizmi gërryen besimin tek institucionet, dobëson kohezionin shoqëror dhe krijon një klimë mosbesimi të përgjithshëm. Ai e zhvendos fokusin nga zgjidhjet afatgjata te përfitimet e menjëhershme politike, duke e bërë më të vështirë ndërtimin e një demokracie funksionale dhe të qëndrueshme.
Në këtë kuptim, “ndeshtrashat” e politikës shqiptare nuk janë thjesht episodike. Ato janë shenja të një krize më të thellë: krizës së ideve, të përfaqësimit dhe të përgjegjësisë. Dalja nga kjo gjendje nuk mund të vijë përmes retorikës së dalë boje, por përmes rikthimit te thelbi i politikës: shërbimi ndaj qytetarëve, ndërtimi i institucioneve dhe prodhimi i ideve që i japin drejtim zhvillimit të vendit.
Derisa kjo të ndodhë, politika do të vazhdojë të rrotullohet në të njëjtin rreth vicioz, duke prodhuar më shumë zhurmë sesa zgjidhje, duke i lënë qytetarët nën peshën e një tjetër “ndeshtrashe” të madhe.
