Ambasadori i Iranit në Pakistan, Reza Amiri Moghadam, është takuar këtë të mërkurë me kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif në Islamabad, në një moment tensionesh të larta në rajon dhe zhvillimesh të reja në raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Pamjet e publikuara nga zyra e kryeministrit tregojnë dy zyrtarët gjatë një takimi ku u diskutua situata rajonale dhe përpjekjet për paqe, megjithatë pa detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e bisedimeve.
Takimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump njoftoi në rrjetet sociale se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar përkohësisht planet për sulm ndaj Iranit, pas një kërkese nga ndërmjetësit pakistanezë.
“Kemi rënë dakord të shtyjmë sulmin ndaj Iranit derisa liderët e tyre të paraqesin një propozim të unifikuar dhe bisedimet të përfundojnë.”
Megjithatë, pavarësisht këtij zhvillimi, Trump theksoi se bllokada detare ndaj tregtisë iraniane nga Marina amerikane do të vijojë.
Pakistani, në rolin e ndërmjetësit, kishte përgatitur terrenin për bisedime të nivelit të lartë në Islamabad, duke liruar një hotel luksoz për negociata emergjente përpara skadimit të armëpushimit dyjavor.
Por Irani nuk konfirmoi pjesëmarrjen, ndërsa delegacioni amerikan i drejtuar nga zëvendëspresidenti JD Vance nuk u nis nga Uashingtoni, duke lënë situatën në një ngërç të dukshëm.
Lufta që ka zgjatur afro dy muaj vazhdon pa një zgjidhje të qartë, ndërsa një nga çështjet kryesore mbetet rihapja e ngushticës strategjike të Hormuzit, jetike për tregtinë globale të naftës./mxh
