Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kundërshton paketën fiskale për vitin 2027, duke akuzuar qeverinë se ka hartuar ndryshimet pa konsultim. Ajo paralajmëron se masat e propozuara mund të sjellin mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë për buxhetin, të paguara nga sipërmarrja.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë kundërshton paketën fiskale 2027, duke kërkuar konsultim të menjëhershëm me biznesin. Përmes një deklarate për mediat, Dhoma shpreh shqetësimin se ndryshimet janë propozuar pa një proces paraprak konsultimi me sipërmarrjen dhe organizatat përfaqësuese.
Një nga kundërshtimet kryesore lidhet me uljen e TVSH-së për produktet bazë ushqimore. Sipas Dhomës, ulja e TVSH-së për shportën ushqimore nuk justifikon rritjen e barrës fiskale në pjesën tjetër të ekonomisë, përmes ndryshimeve të propozuara në tatimin mbi fitimin, dividentin, TVSH-në standarde dhe atë për turizmin.
Duke iu referuar vlerësimeve të Ministrisë së Financave, Dhoma thotë se efekti neto i masave do të ishte mbi 10 miliardë lekë të ardhura shtesë për buxhetin, të cilat do të paguheshin kryesisht nga biznesi.
Në një kohë kur kostot e prodhimit janë në nivele rekord dhe eksportuesit përballen me rënien e euros, Dhoma kërkon dialog të menjëhershëm dhe transparencë, duke paralajmëruar se ndryshimet fiskale mund të rëndojnë më tej sipërmarrjen dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare./mxh
