Ministri i Bujqësisë, Adis Salla, ka bërë të ditur se aplikimet për fondet e programit IPARD III do të hapen muajin e ardhshëm, duke theksuar se paketa mbështetëse për fermerët është tashmë gati dhe pritet të vihet në zbatim brenda pak muajsh.
Në një intervistë për emisionin “Money Report” në ABC News, Salla u shpreh se qeveria ka përgatitur një paketë gjithëpërfshirëse, e cila synon të rrisë sigurinë ushqimore dhe të lehtësojë aksesin e fermerëve në financime. Sipas tij, skema përfshin edhe një mbështetje shtesë prej 50 mijë eurosh, që lidhet me 10% të faturave, duke synuar uljen e barrës financiare për përfituesit.
Ministri theksoi se dokumentacioni përkatës është dorëzuar dhe se buxheti i vënë në dispozicion konsiderohet ndër më të lartët e akorduar ndonjëherë për sektorin bujqësor. Ai nënvizoi se kjo mbështetje, e ofruar në bashkëpunim me Bashkimin Europian, synon zgjerimin e ekonomisë rurale dhe rritjen e prodhimit vendas.
“Kemi vendosur një paketë gjithë përfshirë për t’i dhënë akses sigurisë ushqimore pikë së pari, por dhe për të lehtësuar sa më shumë fermerët. Muajin tjetër ne hapim aplikimet. Kemi 50 mijë euro të tjera që janë për 10% e faturave. Siç e kemi thënë edhe më përpara, paketa e IPARD është gati. Brenda pak muajsh të jetë në zbatim, ne kemi çuar të gjitha dokumentet. Një buxhet si asnjëherë më parë që do të shkojë për fermerët. Mundësia që i jep qeveria dhe BE, fermerëve që ne të zgjerojmë ekonominë dhe prodhimin”, tha ministri Salla.
Duke u ndalur te siguria ushqimore, Salla bëri të ditur se janë shtuar kontrollet në pikat doganore dhe kufitare, me qëllim parandalimin e problematikave që lidhen me cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore që hyjnë në vend.
“Kemi punuar shumë edhe për sigurinë ushqimore, kemi ushtruar kontrolle në pikat doganore. Janë ushtruar kontrolle të imtësishme në pikat kufitare, në mënyrë që ne të mos kemi probleme me sigurinë ushqimore”, përfundoi ai./et
