Godina e kinostudios “Shqipëria e Re” është përzgjedhur si pjesë e listës prestigjioze “Treasures of European Film Culture” nga European Film Academy.
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në një njoftim për shtyp thekson se kjo përzgjedhje e vendos Shqipërinë në mesin e destinacioneve më të rëndësishme të trashëgimisë filmike në Evropë.
“Ky vlerësim nuk është thjesht simbolik, ai njeh rolin historik të Kinostudios, e cila që nga viti 1952 ka qenë zemra e kinematografisë shqiptare, vendi ku janë krijuar filmat që kanë formësuar identitetin kulturor të vendit”, thuhet në njoftim.
Shqipëria renditet krah vendeve të tjera evropiane me histori të pasur filmike, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Sipas MTKS, ky është një moment krenarie që mund të hapë dyer të reja për industrinë e filmit në Tiranë dhe më gjerë.
Ndërtesa historike e ish-Kinostudios vazhdon të jetë një pikë referimi interesante arkitektonike. Ky kompleks neoklasik u projektua nga një grup arkitektësh sovjetikë dhe u ndërtua nga specialistët shqiptarë në vitet 1950-1952.
Filmi i parë artistik “Skënderbeu”(1953) i prodhuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re” ka qenë një bashkëprodhim me Bashkimin Sovjetik të atëhershëm. Filmi është një poemë epike për heroin kombëtar shqiptar, Skënderbeu, i cili për sa kohë rrojti mbrojti me sukses vendin nga pushtimi osman. Regjisor i filmit ka qenë Sergei Yutkevich. Filmi, ku luajnë edhe aktorë shqiptarë, ka fituar çmimin ndërkombëtar në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1954.
Kinostudioja “Shqipëria e Re” ka prodhuar dhe shpërndarë shumë filma shqiptarë. Më intensive ka qenë veçanërisht periudha e viteve ’70 -80 kur prodhoheshin 13-14 filma në vit./et
