Në shtetin indian Bengali Perëndimor, një nga garat më të rëndësishme politike po zhvillohet me një simbol të pazakontë në qendër: peshkun.
Kandidati i Bharatiya Janata Party (BJP), Sharadwat Mukherjee, është parë duke bërë fushatë derë më derë me një peshk të madh Catla në dorë, një përpjekje për të fituar simpatinë e votuesve në një rajon, ku peshku është pjesë thelbësore e kulturës dhe identitetit.
Zgjedhjet në këtë shtet me mbi 90 milionë banorë janë vendimtare për partinë e kryeministrit Narendra Modi, e cila nuk ka arritur kurrë të marrë pushtetin në Bengal. Rreth 68 milionë votues pritet të marrin pjesë për të zgjedhur 294 deputetë, ndërsa rezultati final do të shpallet më 4 maj.
Fushata është dominuar nga çështje të ndjeshme si identiteti kulturor dhe lista zgjedhore, ku rreth 9.1 milionë emra janë hequr, duke shkaktuar polemika për përjashtimin e mundshëm të minoriteteve. Por një nga temat më të diskutueshme mbetet ushqimi – konkretisht, peshku.
Kryeministrja aktuale e shtetit, Mamata Banerjee, ka ndërtuar një narrativë të fortë duke akuzuar BJP-në se mund të ndalojë ushqime tradicionale si peshku, mishi dhe vezët nëse vjen në pushtet. Ajo e paraqet këtë si një kërcënim ndaj identitetit bengalez, duke e cilësuar partinë rivale si të huaj ndaj kulturës lokale.
BJP i ka mohuar këto pretendime, por reagimet e saj – përfshirë kandidatët që shfaqen duke mbajtur apo ngrënë peshk në publik – kanë ndihmuar në mbajtjen e kësaj teme në qendër të debatit.
Analistët politikë theksojnë se kjo është një strategji e qëllimshme. Sipas tyre, Banerjee ka arritur ta lidhë fort peshkun me identitetin politik të rajonit, duke e kthyer atë në simbol elektoral. Në këtë mënyrë, çdo reagim i BJP-së vetëm sa e përforcon këtë narrativë.
Peshku ka një rëndësi të jashtëzakonshme në Bengal për arsye historike dhe gjeografike. Rajoni është i pasur me lumenj dhe pranë Gjirit të Bengalit, duke e bërë peshkun një burim kryesor ushqimi. Ai është gjithashtu pjesë e ritualeve fetare dhe jetës së përditshme për shumë komunitete, si hindu ashtu edhe myslimane. Një studim i vitit 2024 tregoi se rreth 65% e popullsisë konsumon peshk çdo javë.
Ndërkohë, BJP përballet me sfida për shkak të perceptimit të saj si një parti që promovon kufizime ushqimore në rajone të tjera të Indisë, veçanërisht në lidhje me mishin. Kjo qasje nuk përputhet me realitetin kulturor të Bengalit, ku dieta është më e larmishme dhe më pak e kufizuar nga norma të tilla.
Ekspertët vërejnë se përdorimi i peshkut në fushatë është një taktikë e pazakontë, por domethënëse. Ajo synon të ndryshojë imazhin e BJP-së dhe të krijojë një lidhje më të fortë me votuesit lokalë. Megjithatë, shumë votues dhe aktivistë e shohin këtë si një “gimmick” – një përpjekje sipërfaqësore për të fituar mbështetje pa adresuar çështje më të thella.
Mbtet të shikohet nëse peshku mund të ndikojë realisht në rezultatin e zgjedhjeve. Por një gjë është e qartë: në Bengal, politika dhe kultura janë të ndërthurura ngushtë – dhe ndonjëherë, edhe një peshk mund të bëhet mjet politik./kb
