Last Updated on 23/04/2026 by Kesjana
Nga ARTUR AJAZI
Ajo që ka ndodhur në 1945 me çamët, mbetet një dramë e përmasave të mëdha botërore. U shpërngulën nga vatrat, pronat dhe fshatrat e tyre, mijëra e mijëra shqiptarë të Çamërisë. Ishin në tokën e tyre, vatrat e tyre, pronat e trojet e tyre, u masakruan nga qarqet shoviniste helene, vetëm e vetëm të shfarosnin shqiptarët nga Greqia. U vranë, u masakruan, u dogjën, u lanë të pavarrosur mes fshatit dhe qyteteve, u vranë gra shtatëzëna, burra, pleq, të rinj dhe foshnje. Asnjë mëshirë nuk kishte nga kriminelët e Zervës. U ngritën natës, u rrahën, u qëlluan dhe përdhunuan, u vodhën, dhe u detyruan të linin vatrat e tyre, dhe të niseshin drejt Shqipërisë, apo dhe Turqisë. Nën petkun e “antimuslimanizmit”, grekët e Zervës, krijuan alibinë e madhe se “medemek çamët paskëshin bashkëpunuar me gjermanët gjatë luftës”. Por faktet flasin ndryshe. Me qindra e mijëra djem nga Çamëria mbushën formacionet partizane në Shqiperi por dhe Greqi. Ata ishin atdhedashës, ata ishin antifashistë. Këtë e treguan edhe gjatë luftës Italo-Greke, kur sabotonin repartet e Duçes, që fillimisht përparuan disi në tokën greke pas sulmit të papritur në 1941. Çemëria sot thërret, Çamëria nuk falet, Çamëria kërkon shpagim, kërkon ti rikthehen trojet dhe pasuritë e grabitura. Jam i sigurtë, se në rast se kjo dramë njerëzore, do të kishte ndodhur nga Shqipëria, mbi “pakicat greke”, kjo histori nuk do të falej kollaj nga Greqia. Në vitin 1947, Enver Hoxha e ngriti si problem në Paris, në Konferencën e Paqes. Ja përplasi në fytyrë palës greke, e cila sërish u justifikua se “çamët bashkëpunuan me pushtuesin gjerman gjatë lufës”. Fjala e Enver Hoxhës, dhe prekja e problemit të çamëve, bëri bujë, dhe krijoi tension në sallë. Madje pala angleze, reagoi duke u shprehur se “Enver Hoxha ka divergjenca me ne dhe grekët, ndaj dhe bëri ato deklarata”. Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet aleatja kryesore e Greqisë, dhe kjo u evidentua sidomos gjatë Luftës së Dytë, por edhe gjatë përplasjeve mes partizanëve të Enver Hoxhës dhe forcave monarko-fashiste greke në kufi në 1945. Përgjatë 45 viteve të komunizmit, duhet thënë se, nuk u diskutua shumë çështja çame. Mes nesh dhe grekëve, marrëdhëniet e “mira” u vendosën pas vitit 1972, por sërish Çamëria mbetej një dosje e mbyllur në dukje. Pas ardhjes së demokracisë, qeverisja e Sali Berishës, nuk bëri premtime direkte se “do të merrej me çështjen e çamëve”, edhe pse shumica e popullsisë çame në Shqipëri e votuan masivisht për Partinë Demokratike. Por çamët nisën lëvizjen e tyre, për një rrugëtim të gjatë sensibilizues ndaj dramës që përjetuan të parët e tyre. Ata ngritën shoqatën e tyre, dhe thuajse 90 per qind e tyre u anëtarësuan atje. Kishin mbetur gjallë akoma burra dhe gra të moshuara, të lindur në Filat dhe fshatrat e Çamërisë, që kërkonin të shihnin pas 45 vitesh, pronat dhe vatrat e tyre. Në kufi, nuk u lejua askush nga ata që kishin “vendlindjen Çamëri” të futej në Greqi. Ka prej tyre që ikën nga kjo jetë, me dëshirën e paplotësuar. Kaluan vite, dhe çamët në Shqipëri, krijuan partinë e tyre, PDIU. Një formacion politik, që fillimisht u bë i besueshëm, por shumë shpejt u braktis nga vetë çamët. Pazaret dhe intrigat elektorale të Shpëtim Idrizit, i kanë larguar çamët nga PDIU, nga partia e tyre. Dhe ky nuk mbetet shkaku i vetëm, pse sot çështja çame, nuk ka vëmëndjen e duhur nga çdo qeveri e post 1992. Rrallë ka patur politikan shqiptar, që e kanë ngritur çështjen çame si problem në Athinë, apo BE, pasi i ruhen “frikës dhe ndëshkimit helen”, në frenimin e procesit të integrimit në BE. Sot Çamëria thërret, Çamëria nuk falet, Çamëria kërkon drejtësinë e mohuar dhe vonuar. Viktimat e një kasaphane të ndodhur në fund të Luftës Dytë Botërore, në sytë e fuqive të mëdha, duan drejtësi. Çamët kanë të drejtën e njohjes dhe rikthimit të pronave, kanë të drejtën e rikthimit në vendin e lindjes, në atë tokë të bekuar e pjellore, që prej 81 vitesh e gëzojnë padrejtësisht dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet nderkombetare, grekët e sotëm./kb
