Shampo që premton “riparim total”, “shkëlqim të menjëhershëm” apo “transformim të flokut” tingëllon gjithmonë si një ide tunduese, sidomos kur vjen në një shishe elegante dhe me një çmim që të bën të mendosh se duhet të funksionojë.
Por në realitet, sipas ekspertëve, ndryshimi mes një shampoje të shtrenjtë dhe një të zakonshme nuk është aq e madhe sa duket.
Dermatologët theksojnë: shumica e shampove që gjenden në supermarket apo farmaci e bëjnë punën po aq mirë sa ato më të kushtueshmet. Ajo që ndryshon shpesh është formulimi, përbërësit specifikë dhe, sigurisht, mënyra si tregtohen.
Në fakt, çmimi nuk lidhet gjithmonë me efektivitetin. Ndonjëherë paguan për përbërës më të rafinuar, për produkte organike apo për procese më të qëndrueshme prodhimi. Herë të tjera, paguan thjesht për markën.
Ajo që ka më shumë rëndësi është: rutina.
Ekspertët theksojnë se shëndeti i flokëve nuk varet aq nga produkti që përdor, sa nga mënyra si i trajton flokët. Sa shpesh i lan, sa shpesh përdor pajisje me nxehtësi, sa shpesh i trajton kimikisht: këto janë faktorët që ndikojnë.
Me fjalë të tjera: nuk është shampoja që do të rregullojë gjithçka nëse rutina jote është problematike.
Një tjetër detaj që shpesh anashkalohet është skalpi. Shampoja nuk është vetëm produkt për flokët, por për lëkurën e kokës. Dhe çdo skalp ka nevoja të ndryshme. Dikush me flokë të yndyrshëm mund të ketë nevojë për larje më të shpeshtë, ndërsa dikush me flokë kaçurrela apo të trajtuara kimikisht duhet t’i lajë më rrallë për të mos humbur yndyrnat natyrale.
Edhe përbërësit kanë rëndësi, por jo në mënyrën që na sugjeron marketingu. Një përbërës aktiv funksionon për shkak të strukturës së tij kimike, jo sepse vjen në një paketim luksoz.
Në disa raste, produktet më të thjeshta janë edhe më të tolerueshme, sidomos për lëkurë të ndjeshme, pasi formulat shumë “të pasura” mund të shkaktojnë irritime.
Kjo nuk do të thotë që shampot e shtrenjta nuk funksionojnë. Disa prej tyre mund të jenë shumë të mira. Por ideja që një çmim më i lartë garanton flokë më të bukur është, në rastin më të mirë, e ekzagjeruar.
Pyetja nuk është “sa kushton shampoja?”, por “a i përshtatet flokëve të mi?”. Përgjigjen jua tregon pasqyra. :)/mxh
