Mijëra qytetarë morën pjesë në funeralin e gazetares libaneze Amal Khalil në fshatin Baisariyeh, në jug të Libanit, duke i dhënë lamtumirën e fundit pas vrasjes së saj në një sulm ajror. Arkivoli i saj u mbështoll me flamurin libanez dhe u shoqërua nga helmeta blu dhe jeleku antiplumb me mbishkrimin “press”.
Gjatë procesionit funeral, i cili kaloi nëpër rrugicat e ngushta të fshatit, nga ballkonet dhe çatitë e shtëpive gratë e veshura me të zeza hodhën lule në shenjë nderimi. Pjesëmarrësit mbanin postera me fotografinë e saj, këndonin lutje dhe qanin, ndërsa në sfond u dëgjuan edhe të shtëna armësh dhe fishekzjarrë në nder të jetës së saj.
Autoritetet libaneze pretendojnë se Khalil u shënjestrua qëllimisht nga ushtria izraelite ndërsa po kërkonte strehim pas një sulmi të mëparshëm ajror në jug të vendit. Sipas tyre, më pas u godit edhe një ambulancë, duke penguar përpjekjet për ta shpëtuar. Ushtria izraelite i ka mohuar këto akuza, duke deklaruar se nuk shënjestron gazetarë dhe se rasti është duke u hetuar.
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) thotë se gjatë konfliktit aktual, të paktën shtatë gazetarë të tjerë janë vrarë në Liban nga sulmet izraelite, ndërsa dhjetëra të tjerë janë vrarë më herët në Liban dhe në Gaza.
Kolegët dhe familjarët e saj kanë kërkuar hetim të pavarur për vdekjen e saj, duke theksuar mungesën e drejtësisë për gazetarët e vrarë në raste të ngjashme në të kaluarën.
“Amal ishte një gazetare e veçantë. Ne ndiejmë padrejtësinë që është dokumentuar në gjithë këtë shënjestrim të gazetarëve”, deklaroi Elsy Moufarrej, kryetare e sindikatës së gazetarëve në Liban. “Vazhdojmë të kërkojmë drejtësi, por ende nuk e kemi arritur.”
Pas ceremonisë mortore dhe një duartrokitjeje të fundit, trupi i Amal Khalil u varros në vendlindjen e saj, aty ku, sipas raportimeve, ajo humbi jetën nga sulmi ajror./mh
