Last Updated on 23/04/2026 by Monika
Në Kuvend është zhvilluar një debat i fortë mes deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla, duke u fokusuar te vizita e kryeministrit në Barcelonë dhe projektligji për shërbimet.
Shehu ngriti pyetjen nëse Edi Rama ka qenë në Barcelonë si kryeministër apo si kryetar partie, duke pretenduar se duhet transparencë për qëllimin e vizitës dhe duke akuzuar kryeministrin se shmang pyetjet në parlament.
Ai kritikoi edhe projektligjin për shërbimet, duke e cilësuar procesin ligjvënës të paqartë dhe me probleme në mënyrën e paraqitjes së materialeve në komisione.
“Si parti mund të bëjnë ç’të duan, shpjegimi që kërkova unë është ky: Rama shkoi si kryeministër apo si kryetar partie? Nëse ka shkuar si kryetar partie, është puna juaj! Nëse ka shkuar si kryeministër, ka shkelur pozicionet politike dhe strategjike të këtij shteti. Ka frikë të vijë në parlament se do t’u shmanget këtyre pyetjeve. Lidhur me ligjin, turp i botës ai ligj për ju! Ishim në komision, nuk e morëm vesh kush e ka prezantuar, qeveria apo Denaj. Dy materiale, një relacion. Një kakofoni e tërë që s’mund të ndodhë! Nëse ka dy projektligje s’kemi asnjë kundërshtim, i votojmë veç e veç”, tha Shehu.
Nga ana tjetër, Balla i është përgjigjur duke thënë se ligji është i rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Ai akuzoi opozitën për kundërshtime të paargumentuara dhe theksoi mbështetjen ndërkombëtare për Shqipërinë.
“Ca problemi keni me këtë ligjin apo kot? Të jemi korrektë. Keni thënë që kur bëhet fjalë, të paktën në Bruksel se këtu e dridhni, kur bëhet fjalë për ligjet e integrimit, jemi gati. Dy veta kanë thënë s’e votojmë. Të paktën të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin. Si detyrë të parë kemi ligjvënien. Nëse përjashtoni veten nga ligjet e përafrimit të legjislacionit… në komision e keni votuar kundër, ky është fakt. Për ta konkluduar, mendoj që deri në momentin kur do të votojmë se dëgjova që kishte revoltë për të mos marrë pjesë në minutën e heshtjes për akademikun Rexhep Qosja, nuk e meriton këtë turp PD”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla iu kundërpërgjigj Tritan Shehur dhe për vizitën e Ramës në Barcelonë.
“O Tritan, ai ishte aty dhe po ta them që SPD-ja gjermane është ndër iniciuesit kryesorë të aleancës progresiste dhe tani ky mobilizim botëror në mbrojtje të vlerave të demokracisë. Edhe kryeministri spanjoll. Një vend mbështetës 100% i Shqipërisë. Po mirë, po me presidentin e Këshillit Europian c’pate Antonio Costa, edhe ky kështu ishte siç the, prandaj ju lutem shumë, unë e kuptoj që ju këtu rregullin brenda vetes, po të paktën për gjërat e rëndësishme të Shqipërisë, nuk mund të cohet një njeri që për fat të keq ke qenë ministër i jashtëm, edhe të thuash ato që the. Të sulmosh zëvendëskancelarin gjerman, të sulmosh kancelarin, kryeministrin e Spanjës, të Danimarkës, kryetaren e opozitës italiane, miken time Eli Schlein, që edhe ti zotërote e njeh, Partia Demokratike italiane, o se edhe ke mik Kazinin se është aty te ne! 70-80 vjet sa ke dhe vjen e flet gjëra të papërgjegjshme! Kur shkoi kryeministri te Trumpi, bërtisnit pse shkoi te Trumpi, po atë ç’e kishit?”, tha Balla.
Më tej me ironi Balla iu drejtua deputetëve të përgatiten për samitin e NATO-s që do të mbahet vitin tjetër në Shqipëri.
“Ambientohuni me faktin që vitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë jo kryeqyteti i Europës, por i botës! Vitin e ardhshëm mirëpresim Samitin më të madh të sigurisë në botë, samitin e NATO-s! Ngrije kokën Tritan se do të vijë Trumpi!”, shtoi Balla./mxh
