Last Updated on 24/04/2026 by Kesjana
Në tregun shqiptar qarkullojnë me dhjetëra etiketa vere të brandeve nga më të mirat ndërkombëtare, të cilat i gjen rëndom nëpër lokalet luksoze pa pullën fiskale.
Në disa dyqane dhe restorante klientela “VIP” përdor verëra të ashtuquajtura “cilësore” që janë pa pullë, sasi të verërave të markave shumë të shtrenjta si Petrus, Sassicaia, Ornellaia, Masseto dhe Romanée-Conti gjenden lehtësisht, ndërkohë që prodhimi i tyre dhe sasia që del nga vetë prodhuesi është shumë e limituar.
Janë produkte vere që çmimi i tyre fillon nga 400 deri në mbi 1 mijë apo 2 mijë euro shishja që “VIP-at e Tiranës” i përdorin pa pullë fiskale.
Shqip dhe thjesht do të thotë: një produkt luksi që përdoret nga “VIP”-at, por që është totalisht i pacertifikuar, i pakontrolluar, kontrabandë dhe në shumë raste është dhe fals.
Pra, kemi klientë “VIP” që përdorin verëra të shtrenjta, por që në fakt shijojnë vetëm etiketën, pasi verërat pa pullë fiskale dhe të patregtuara nga distributori zyrtar, i cili, në fakt, është dhe certifikuesi i prodhuesit dhe garantuesi i tij.
Verërat që vijnë nga jashtë këtij zinxhiri janë të pasigurta, false dhe absolutisht të rrezikshme për shëndetin.
Një verë pa pullë fiskale do të thotë një verë e pakontrolluar, e pacertifikuar që mund të jetë futur në një shishe apo etiketuar në qilarët e Kombinatit, që mund të vijë kontrabandë, e prodhuar në magazinë falsifikimi në Turqi apo Jugun e Italisë, që ka thjesht etiketën, por që është një rrezik për shëndetin, pasi nuk dihet se çfarë ka brenda shishja.
Një verë pa pullë fiskale, jo vetëm nuk garanton cilësinë, por mund të jetë një produkt me përzierje kimikatesh për të arritur shijen, që mund të të marrë dhe jetën.
Një verë pa pullë fiskale është një produkt që nuk garantohet nga prodhuesit sepse ky i fundit gjithçka e kalon nëpërmjet distributorëve zyrtarë, të cilët janë të autorizuar për shitjen e markave cilësore dhe jo më kot, kjo për shkak të kushteve që nga ruajtja e verës, mënyra se si transportohet dhe deri te garancia pas hapjes së shishes.
Një verë pa pullë fiskale do të thotë një konkurrencë e prishur në treg.
Disa hajdutë dhe banditë nëpërmjet verërave false dhe pa pullë futin në treg produkte alkooli të rrezikshme për shëndetin.
Në shumë restorante dhe dyqane i gjen këto produkte pa pullë fiskale, të cilat janë një akuzë e drejtpërdrejtë për Doganat, Tatimet dhe AKU-në.
Doganat për vetë faktin se i lejojnë të hyjnë nga pikat kufitare dhe nuk bëhet fjalë për një kuti apo dy shishe, por flasim për mijëra e mijëra shishe për të cilat nuk paguhet asnjë tarifë doganore.
Tatimet janë institucioni i dytë i akuzuar, pasi verërat janë mall akcize dhe barra fiskale është afërsisht 60% e çmimit, që do të thotë se qindra mijëra euro ndoshta dhe miliona që mungojnë në buxhetin e shtetit sepse Tatimet lejojnë të tregtohen verëra pa pullë fiskale apo dhe pije të tjera alkoolike.
Institucioni i tretë nën përgjegjësi është AKU-ja. Ende nuk kemi dëgjuar ndonjë operacion në treg për të kontrolluar pijet alkoolike me etiketa false, verëra pa pullë fiskale apo të falsifikuara, të cilat konsumohen rëndom nga qytetarët ndoshta dhe nga inspektorët dhe drejtuesit e AKU-së, Tatimeve apo Doganave, të cilët me moszbatimin e ligjit po bëjnë tri krime.
Së pari, po rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
Së dyti, janë bërë pjesë e një vjedhjeje masive të taksave.
Së treti, po shkatërrojnë konkurrencën në treg, por jo vetëm./kb
