Depozitat bankare dominuan strukturën e investimeve financiare të kompanive të sigurimit edhe vitin e kaluar. Megjithatë, vlera e tyre pësoi një rënie të lehtë, ndërkohë që kompanitë rritën investimet në obligacione qeveritare.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), depozitat bankare të shoqërive të sigurimit në fund të 2025 arritën vlerën e 18.2 miliardë lekëve (rreth 188 milionë euro), në rënie me 2.7% krahasuar me një vit më parë.
Depozitat në monedhën vendase dominojnë strukturën e depozitave të shoqërive të sigurimit, me 62.9% të totalit ose rreth 11.4 miliardë lekë. Depozitat në valutë arritën në 6.7 miliardë lekë dhe përbënin rreth 37.1% e vlerës totale të depozitave.
Në depozitat në valutë të huaj, peshën kryesore e zënë depozitat e investuara në Euro, të cilat zënë rreth 89.6% të depozitave totale në valutë dhe 33.2% të depozitave totale (lekë + valutë), pjesa tjetër e depozitave janë të investuara në dollarë amerikanë.
Krahasuar me fundin e vitit 2024, depozitat në valutë kanë pësuar rënie në vlerë me 1.6%, kryesisht si rezultat i efektit negativ të kursit të këmbimit. Megjithatë, rënia në shkallë pak më të lartë e depozitave në Lekë ka bërë që Euroizimi i depozitave bankare të shoqërive të sigurimit të pësojë rritja të lehtë në 2025.
Depozitat përbënin rreth 73% të investimeve totale financiare të kompanive.
Për sa i takon investimeve të tjera të kompanive të sigurimit, ato dominohen nga obligacionet.
Në fund të vitit të kaluar, shoqëritë e sigurimit zotëronin obligacione në në vlerën e 4.9 miliardë lekëve, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë. Pothuajse 76% e obligacioneve u takojnë shoqërive të sigurimit të jo-jetës, ndërsa rreth 24% atyre të jetës.
Gjithashtu, shoqëritë e tregut të sigurimeve kanë investuar dhe në obligacione në Euro, në vlerën 16.7 milionë euro, në rënie me 5.7% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, Bonot e Thesarit në Lekë vazhdojnë të kenë një peshë shumë të vogël në portofolin e investimeve të kompanive të sigurimit. Në fund të 2025, ato kishin vlerën e 57 milionë lekëve, në vlera të përafërta me një vit më parë.
Shoqëritë e sigurimeve raportojnë gjithashtu kuota në fonde investimesh në Lekë, në vlerën e 148 milionë lekëve. Vlera e investimit në kuota të fondeve ka ngelur afërsisht e njëjtë me një vit më parë. Investimet u takojnë kryesisht fondeve të administruara nga palë të lidhura me shoqëritë e sigurimit (shoqëri administruese të fondeve të investimit), siç është rasti i investimeve të shoqërisë Albsig në fondin e investimit Albsig Standard.
Në total, investimet financiare në fund të 2025 kishin një vlerë prej afërsisht 6.7 miliardë lekësh, vlera kjo sa 37% e fondeve të mbajtura në depozita bankare./monitor.al

