Adriana Lima po rikthehet në qendër të vëmendjes së Victoria’s Secret, këtë herë në një projekt me një domethënie të veçantë familjare.
Supermodelja 44-vjeçare, e njohur prej vitesh si një nga “engjëjt” më ikonik të brandit, shfaqet në fushatën e re për Ditën e Nënës së bashku me dy vajzat e saj, Valentina 16 vjeç dhe Sienna 13 vjeç. Të treja marrin pjesë për herë të parë së bashku në një fushatë të markës.
Fushata, e titulluar “Modeled After Mom”, sjell një atmosferë të ngrohtë familjare, ku nëna dhe vajzat shfaqen të veshura me pizhame dhe sete të ngjashme, në nuanca të buta si rozë, të verdhë pastel dhe gri. Në setet fotografike, ato shihen duke pozuar në mënyrë argëtuese me aksesorë si shkëlqyes buzësh dhe një kamerë të stilit vintage.
Adriana Lima, e cila ka qenë pjesë e Victoria’s Secret Fashion Show nga viti 1999 deri në 2018 (me përjashtim të vitit 2009 për shkak të shtatzënisë), u tërhoq zyrtarisht nga brandi në 2018, por u rikthye në 2023 për një fushatë parfumi. Ajo ka vazhduar bashkëpunimin me sfilatat edhe në 2024 dhe 2025, duke riafirmuar lidhjen e saj të gjatë me kompaninë.
Në të njëjtën fushatë të Ditës së Nënës marrin pjesë edhe ish-“engjëj” të tjerë të Victoria’s Secret. Jasmine Tookes shfaqet duke mbajtur në krahë djalin e saj 6-muajsh Mateo, ndërsa Elsa Hosk pozon me vajzën 5-vjeçare Tuulikki, duke treguar gjithashtu shtatzëninë e saj të dytë.
Fushata e këtij viti sjell një fokus të veçantë mëmësinë, duke bashkuar modelet ikonike dhe fëmijët e tyre në një koncept familjar dhe emocional./mxh
