Në prill të vitit 1986, një test rutinë në centralin bërthamor të Çernobil, pranë qytetit të Pripyat, u kthye në katastrofën më të madhe bërthamore në histori. Shpërthimi i reaktorit nr. 4 shkaktoi çlirimin masiv të substancave radioaktive, duke ndikuar jo vetëm në Ukrainë, por në të gjithë Evropën dhe më gjerë.
Aksidenti ndodhi gjatë një stërvitjeje për testimin e sistemit të energjisë në rast ndërprerjeje. Megjithëse procedura ishte rutinë, një kombinim fatal i gabimeve njerëzore dhe problemeve serioze në projektimin e reaktorit çoi në një rritje të pakontrolluar të fuqisë. Brenda pak sekondash, ndodhi një shpërthim i fuqishëm me avull, i ndjekur nga një tjetër shpërthim që shkatërroi plotësisht bërthamën e reaktorit.
Sipas analizave të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, aksidenti u shkaktua nga disa faktorë të kombinuar: një dizajn i rrezikshëm i reaktorëve RBMK, mungesa e mekanizmave të fortë të sigurisë dhe shkelje të rregullave gjatë operimit. Reaktori kishte karakteristika që e bënin të paqëndrueshëm në kushte të caktuara, ndërsa operatorët kishin çaktivizuar disa sisteme sigurie gjatë testit.
Një rol të madh luajti edhe “faktori njerëzor”. Operatorët kishin ulur fuqinë e reaktorit në nivele të rrezikshme dhe kishin hequr shumicën e shufrave të kontrollit, duke rritur ndjeshëm rrezikun e një reaksioni të pakontrolluar. Ekspertët më vonë theksuan se kjo ishte pasojë e një kulture të dobët sigurie në Bashkimi Sovjetik në atë kohë.
Pasojat ishin katastrofike. Sasi të mëdha radioaktiviteti u çliruan për rreth 10 ditë, ndërsa reja radioaktive u përhap në të gjithë Evropën, duke u zbuluar fillimisht në Suedi. Qyteti i Pripyat u evakuua 36 orë pas shpërthimit dhe banorët nuk u kthyen më kurrë.
Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, mijëra njerëz humbën jetën direkt ose indirekt nga pasojat e rrezatimit, ndërsa ndikimet në shëndet, mjedis dhe ekonomi vazhdojnë edhe sot.
Katastrofa e Çernobilit ndryshoi përgjithmonë industrinë bërthamore globale. U krijuan standarde të reja sigurie dhe organizata ndërkombëtare për bashkëpunim, ndërsa mbikëqyrja u forcua ndjeshëm. Megjithatë, një tjetër aksident i madh, ai i Fukushima Daiichi në Japoni në vitin 2011, tregoi se rreziku nuk është zhdukur plotësisht.
Ekspertët vlerësojnë se sot probabiliteti teknik i një aksidenti si Çernobili është shumë më i ulët falë përmirësimeve në teknologji dhe siguri. Megjithatë, ata paralajmërojnë se faktori njerëzor dhe menaxhimi mbeten hallka të dobëta.
“Askush nuk mund të garantojë që një katastrofë e tillë nuk mund të ndodhë sërish”, thonë specialistët./kb
