Goditet një tjetër “Call Center”/ Mashtrime
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Fasada”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Tiranë, duke zbuluar një skemë mashtrimi ndërkombëtar përmes investimeve në bursa fiktive.
Sipas autoriteteve, një apartament në rrugën “Sulejman Delvina” ishte përshtatur si “Call Center”, nga ku operatorët kontaktonin shtetas të huaj dhe i mashtronin për të investuar në platforma të rreme financiare.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, u kapën në flagrancë shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, të dyshuar si administratorë të ambientit, si dhe 12 operatorë që punonin brenda tij. Administratorët u arrestuan, ndërsa operatorët u proceduan në gjendje të lirë.
Hetimet paraprake kanë treguar se ambienti ishte marrë me qira dhe më pas ishte përshtatur për këtë veprimtari të paligjshme, e cila kishte si objektiv qytetarë jashtë vendit.
Në vendngjarje u sekuestruan prova materiale, përfshirë 19 kompjuterë, 2 celularë dhe 1 DVR, që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin e mashtrimit.
Policia e Shtetit bëri të ditur se hetimet po vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
“Autoritetet theksojnë se mbeten të angazhuara në goditjen e mashtrimeve financiare me shtrirje ndërkombëtare, të cilat dëmtojnë qytetarë brenda dhe jashtë vendit.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas informacioneve të siguruara së fundmi, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fasada”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasit A. R. dhe L. M., si dhe 12 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.
Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi A. R., i cili, në bashkëpunim me shtetasin L. M., e administronte këtë ambient me qëllim zhvillimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u vunë në pranga shtetasit A. R., 44 vjeç, dhe L. M., 26 vjeç, administratorë të ambientit.
Si dhe u proceduan penalisht 12 shtetas, operatorë, të cilët u kapën në flagrancë në apartament, gjatë ndërhyrjes nga Policia.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie të paligjshme”, njofton policia./kb
