Në Sarandë u çel mbrëmjen e së premtes ekspozita personale e piktorit vlonjat Roland Runaj, në ambientet e Galerisë së Arteve Pamore “ART Saranda”.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë dhjetëra artdashës, artistë, shkrimtarë, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore. Në emër të Bashkisë përshëndeti drejtori i Qendrës Kulturore, Ismail Murtaj, i cili vlerësoi rëndësinë e kësaj ekspozite për jetën artistike të qytetit.
Drejtuesi i Galerisë, piktori Lefter Çeko, theksoi se Roland Runaj i përket një brezi artistësh pamorë të formuar në vitet e fundit jashtë vendit. Sipas tij, ekspozita është fryt i një bashkëpunimi njëvjeçar dhe përbën një përthyerje artistike të memories për Sarandën, duke sjellë emocione që shtrihen nga antikiteti deri në kohët moderne.
Në cilësinë e kuratorit, Çeko veçoi dinamikën e pikturimit, përdorimin e dritës dhe motivet e qytetit bregdetar, të cilat në veprat e Runajt shfaqen përmes një stili të veçantë, me gjetje origjinale dhe udhëtime në kujtesë.
Gjatë fjalës së tij, autori Roland Runaj e cilësoi ekspozitën si një dedikim për Sarandën dhe burimet e frymëzimit që i ka ofruar ky qytet. “Pikturat dhe kompozimet e mia janë sipërfaqe kujtese, të miksuara me përjetimet dhe përthyerjet shpirtërore, me një shtrirje të gjatë nga antikiteti deri në ditët e sotme”, u shpreh ai.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për 30 ditë dhe pritet të tërheqë interesin e qindra artdashësve dhe turistëve që po vizitojnë Sarandë gjatë kësaj periudhe pranverore./kb
